Deputeti i LSI-së, Lefter Koka ka dalë zyrtarisht kundër vendimit të partisë së tij për djegien e mandateve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koka konfirmon se nuk do u bashkohet deputetëve të tjerë të Lëvizjes Socialiste prë Integrim dhe atyre të Partisë Demokratike për të djegur mandatet.

Ai thotë se vendimi për djegien e mandateve nuk është i LSI-së, por i Saliut. “Dhe nëse erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI-në, a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave që unë i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë” deklaron ai.

Deputeti i zgjedhur në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 2017 e mbyll reagimin duke thënë se ‘mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar’.

Deklarata e plote e Lefter Kokes
Opozita dje mori vendimin për të djegur mandatet e deputetit. Vendimi im i palëkundur është se unë nuk do të djeg mandatin e deputetit, që mijëra durrsakë më kanë besuar.

I zgjedhur prej vullnetit të bashkëqytetarëve të mi, për të ushtruar pushtetin legjislativ dhe të jem përfaqësuesi i tyre.

Parimet e mia në 2 dekada te jetës sime politike janë udhëhequr vetëm nga interesi i qytetarëve. Janë ata që me kanë treguar gjithmonë cila është e drejta dhe e vërteta, janë ata bashkëudhëtarët dhe udhërrëfyesit e mi.

Ky nuk është një vendim thjeshte i Lëvizjes Socialiste për Integrim por i Saliut, i cili në shekullin e 21 bën thirrje për plumba ballit.

Dhe nese erdhi dita që ai të tërheqë zvarrë LSI , a thua se LSI është Luli, nuk mund të më tërheqë zvarrë mua drejt aventurave qe une i gjykoj të turpshme për shoqërinë shqiptare dhe demokracinë.

Mandati im është besimi i mijëra qytetarëve. Është mandati i qytetarisë, kulturës dhe fisnikërisë durrsake , që as në ditët më të vështira të këtij qyteti nuk theu kurrë një xham.

Qytetarët durrsakë kanë treguar në çdo kohë, se ata janë shembulli më i mirë i shoqërisë shqiptare. Mandati im nuk mund të përdoret asesi për t’i vënë flakën institucioneve shtetërore apo parlamentit shqiptar.

Thellësisht mirënjohës për të përfaqësuar sa më denjësisht zërin tuaj!

Artikulli paraprakKAPEN 20 TELEFONA CELULARË NË BURGUN E FIERIT,U FUTËN NGA PORTAT E MINI FUTBOLLIT
Artikulli tjetër“MIKPRITJA SHQIPTARE”, ARTISTJA NGA KUVAJTI ÇEL EKSPOZITËN ME FOTOGRAFI