228 shqiptar aplikuan për herë të parë për azil ne shtetet e Bashkimit Evropian. Sipas të dhënave të Zyrës Evropiane të Azilantëve, në total vetëm në muajin qershor janë rreth 394 aplikime për azil, nga të cilat 106 ishin riaplikime.

Që prej muajit mars numri i aplikimeve u ul, si pasojë e pandemisë COVID-19, duke shënuar rënien më të madhe në muajin maj me vetëm 90 aplikime në total.

Nga këto aplikime 380 kanë marrë përgjigje negative, 17 kanë marrë mbrojtje ndihmëse dhe vetëm katër kanë status refugjati.

Sipas zyrës edhe pse aktivitetet e azilit ende nuk kanë rifilluar plotësisht në shumë vende të botës për shkak edhe të masave të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e infeksionit COVID, përsëri në muajin qershor pati një gjallërim të kërkesave për azil.

Në total në muajin e 6 të vitit janë rreth 31 500 aplikime për të fituar statusin e azilantit në shtetet e Bashkimit Evropian. Edhe pse numri i aplikimeve është ndjeshëm më i ulët se përpara përhapjes së pandemisë, është i lartë numri i riaplikimeve. Nëse në muajin mars në total ishin 2935 riaplikime në muajin qershor ky numër arriti në 3456. Sipas Zyrës Evropiane të Azilantëve është rreth 11% më shumë se sa përpara përhapjes së pandemisë.

Ndërkohë sirianët, afganët, venezuelasit dhe kolumbianët vazhduan të paraqesin më shumë aplikime për azil.

Raporti i fundit vijon më tej duke thënë se protokollet e rrepta dhe masat parandaluese shëndetësore ka të ngjarë të kenë vazhduar të kufizojnë numrin e aplikimeve që mund të paraqiten.

Në 6 muajit e parë të vitit në total janë rreth 212 100 aplikime për azil ose 37% më e ulët sesa një vit më parë.

Po ashtu ka rënë me një të pestën numri i rasteve të kalimit të jashtëligjshëm të zbuluar në krahasim me 2019. Sipas të dhënave janë rreth 36 400 zbulime të kalimit të paligjshëm të kufijve.