Një tërmet me magnitudë 3.4 i shkallës Rihter ka lëkundur këtë paradite Qarkun e Shkodrës, sipas ESMC që është Qendra Sizmologjike Europiane e Mesdheut. Ndërkohë, IGJEUM që është Institui i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit raporton se lëkundja u ndje në orën 9:37, dhe magnituda sipas institutit të Gjeoshkencave ishte 3.5. Epiqendra e tërmetit ishte në grykëderdhjen e lumit Buna, me thellësi 5 km.

Kjo distancë është e afërt duke bërë që tërmeti të frikësojë pushuesit që ndodheshin në plazhin e Velipojës. Shumë prej tyre e kanë ndjerë dridhjen e fortë ndërsa është krijuar një lloj paniku tek një pjesë e konsiderueshme e tyre duke bërë që të dalin jashtë nga banesat ata që nuk kishin dalë ende në plazh. Nga sa mësohet pushuesit e shumtë kanë raportuar për lëkundjen që është ndjerë kudo.

Sipas burimeve nga plazhi i Velipojës tërmeti me magnitudë 3.4 i shkallës Rihter nuk ka sjellë ndonjë dëm material tek hotelet, shtëpitë dhe subjektet e tjera që janë në atë plazh. Gjithsesi frika ka qenë e madhe tek të gjithë duke qenë se tërmeti i 26 nëntorit ishte tragjik për Shqipërinë duke bërë që të ketë një numër të lartë viktimash e të plagosurish si dhe dëme të pallogaritshme materiale në pallate, shtëpi, hotele e shumë dyqane apo ndërtime të tjera.

Megjithatë tërmeti në Velipojë u ndje në vetëm pak sekonda dhe nuk raportohet për lëkundje të tjera ndërsa shumë pushues atje që janë kryesisht vendas nuk janë edhe aq të qetë nga frika e ndonjë lëkundjeje tjetër. Ndërkohë nga sa raportohet në qytetin e Shkodrës tërmeti i rënë në orën 9:37 minuta nuk është ndjerë duke përfshirë vetëm zonën e Velipojës dhe disa fshatra të tjerë aty afër si dhe pjesë e plazhit të Ulqinit në Malin e Zi duke shqetësuar edhe atje pushuesit e paktë që janë.

Artikulli paraprakSHKODËR, AUTORI I DYSHUAR: E VRAVA GABIMISHT SHOKUN
Artikulli tjetërVITI I RI SHKOLLOR/ SHAHINI: LIBRA FALAS PËR NXËNËSIT DERI NË KLASËN E 7-TË, SI DHE GJITHË KATEGORITË E VEÇANTA DERI NË TË 12-TËN