Toka tronditet ende. Gjashtë lëkundje të tjera sizmike janë regjistruar midis të enjtes dhe të premtes në Durrës dhe Tiranë, me epiqendër sërish në detin Adriatik, përballë Gjirit të Lalzit.

Lëkundja e parë dhe më e fuqishmja ka qenë ajo e orës 00:48, me intensitet 4.3 ballë të shkallës Rihter, sipas të dhënave të raportuara nga Qendra Europiane e Sizmiologjisë dhe Institutit të Gjeoshkencave. Lëkundja është ndjerë e fortë edhe në Tiranë.

Epiqendra është regjistruar në detin Adriatik, jo shumë larg nga bregdeti i Gjirit të Lalzit, 16 km në veri perëndim të Shijakut dhe 32 kilometra në veriperëndim të Tiranës me një thellësi prej 2 kilometrash.

Intensiteti sizmik në zonë ka vijuar edhe gjatë orëve në vijim, ku janë regjistruar edhe 5 tërmete të tjera me manitudë nga 2.1 deri në 3.3 ballë, i fundit i regjistruar në orën 05:28 të mëngjesit të sotëm.

Sipas raportimeve paraprake nuk raportohen dëme dhe nuk dihet nëse do të ketë lëkundje të tjera. Zona përreth Gjirit të Lalzit vijon të jetë me intensitet të lartë sizmik prej dy ditësh, ndërsa ka shkaktuar dëme materiale në disa banesa në zonat përreth.

Sipas ekspertëve të sizmiologjisë, është një tipologji e njëjtë e tërmeteve që, pas një goditjeje të fortë, shoqërohen me pasgoditje. Pra, pllakat tektonike në thellësi lëvizin derisa të zenë një vend të ri.

Nisur nga ecuria e aktivitetit, ata mendojnë që është duke u relaksuar, pra duke arritur në ekuilibër. Kjo do të kërkojë edhe pak kohë, por një situatë e tillë ka treguar se të radhës do të jenë me magnitudë më të vogël, pra të mos përbëjë më rrezik

Për Report TV ka folur sizmiologu Rrapo Ormeni, i cili ka qetësuar qytetarët duke u shprehur se nuk ka vend për panik. Sipas tij, duke marrë parasysh se epiqendra e tërmeteve të fundit ka qënë në Durrës, banorët e zonës nuk duhet të shqetësohen, pasi në këtë qytet ka histori me tërmete më të forta ndër vite.

“Mbas tërmetit kryesor, me magnitudë 5.3 Rihter, ky tërmet shoqërohet me pasgoditje, e tillë ishte edhe ajo e mbrëmshmja. E rëndësishme është që këto goditje janë të dobëta, por ndonjëherë ndodh që disa goditje të jenë më të forta se të mbrëmshmet.

Është normale që vazhdojnë pasgoditjet, numri i tyre vjen duke u zvogëluar. Janë jo të rrezikshme. Janë tërmete që bien, por nuk kanë efekte dëmtuese. Vija bregdetare e Adriatikut është më e goditur.

Aty kanë rënë tërmete më të fuqishëm, që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në qytetin e Durrësit dhe Shijakut”, u shpreh ai.

Artikulli paraprakJA ME ÇFARË I UROI KRYEMINISTRI RAMA SHQIPTARËT KËTË MËNGJES…!
Artikulli tjetërRAPORTI, OKB: JA FATKEQËSITË NATYRORE QË I BËNË MË SHUMË DËME SHQIPËRISË