Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj letrës që kryeministrja serbe Ana Brnabiç i ka dërguar kryeministrit Edi Rama, ku kërkohet rishikimi i njohjes së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran.

Në një intervistë për RTV21, Haradinaj deklaroi se ndihen të mënjanuar nga qëndrimi i Evropës për të mos reaguar ndaj veprimeve të Serbisë.

“Ne na thuhet “mos veproni”, ndërsa nuk po disiplinohet Serbia. Federica Mogherini, Johannes Hahn, Jean Claude Juncker, Donald Tusk e as Cecilia Malmstrom nuk janë lajmëruar për t’i thënë Serbisë se ajo letër nuk është në frymën e stabilizimit të Ballkanit”, shprehet Haradinaj.

Më tej, kryeministri kosovar tha se koha kur Kosova ka dëgjuar se çfarë i është thënë, ka ikur. “Ku është Evropa, ku janë ata që nuk reagojnë ndaj Serbisë? Ka shkuar koha kur ne kemi dëgjuar secilin çka na thotë.”

Haradinaj e përmbylli komentin e tij ndaj letrës së kryeministres serbe duke thënë se, e vetmja mënyrë për të arritur paqen e dy vendeve është pranimi i të drejtës së Kosovës për të qenë një shtet i pavarur dhe sovran.

PUBLICITET