5.2 milion euro ka sekuestruar policia në Lezhë në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”. Bashkë me paratë në llogari bankare janë sekuestruar edhe pasuri të paluajtshme të dyshuara se janë përfituar nga veprimtari kriminale.

Fillimisht policia e Lezhës bën të ditur se sekuestrot janë rezultat i punës hetimore të Policisë së Lezhës që ka referuar materialet procedurale mbi bazën e dyshimit të arsyeshëm, për përfitimin e tyre nga veprimtaria kriminale, me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë.

Pasuritë janë në pronësi të shtetasve Pjetër Voci 83 vjeç dhe shtetases Shqipe Palaj 50 vjeçe që të dy banues në Lezhë. Nga ana e saj prokuroria e Lezhës ka filluar procedimin penal për veprën “Pastrim i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”

në ngarkim të dy shtetasve, duke e finalizuar me sekuestro të vendosur nga Gjykata e Shkallës Parë Lezhë me vendim te datës 23 janar të këtij viti. Një njoftim lidhur me këtë rast ka bërë edhe prokuroria e Lezhës e cila tregon se është regjistruar procedimi penal nr 57 me akuzat e pastrimit të

produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale. Prokuroria bën të ditur se me kërkesën e prokurorit Erjon Shehaj gjykata e rrethit gjyqësor në Lezhë me vendimin nr 17 ka vendosur sekustrimin e llogarive bankare në vlerë 5.2 milion euro dhe 7 apartamente në Lezhë si dhe disa apartamente në Tiranë në pronësi të Shqipe Palaj dhe Pjetër Voci.

Tashmë policia dhe prokuroria po hetojnë lidhur me paratë e sekuestruara që dyshohen se vijnë nga veprimtari kriminale. Nga ana tjetër po hetohet edhe për çdo lidhje të mundshme që mund të kenë dy personat të cilëve u është sekuestruar pasuria.

Gjithashtu sipas burimeve në Lezhë policia dhe prokuroria pritet që të godasin edhe persona të tjerë të cilët dyshohet se pasurinë e kanë në bazë të lidhjev e me krimin.

Artikulli paraprakSHKODËR, SEKUESTROHEN 18 KG DROGË NË MURIQAN
Artikulli tjetërBASKET FEMRA KUPA, VLLAZNIA KUALIFIKOHET NË GJYSËMFINALE