Një aksion i madh policor është ndërmarrë mëngjesin e sotëm në disa qytete të Maqedonisë, në pjesën më të madhe të të cilëve banojnë shqiptarë. Ministria e Brendshme e Maqedonisë deklaron se aksioni ka të bëjë me arrestimin e disa personave të cilët supozohet se janë anëtarë të Shtetit Islamik.

“Aksioni i madh policor i MPB-së është për arrestimin e personave për të cilët ekzistojnë dyshime se kanë marrë pjesë në formacionet paraushtarake në Siri dhe në rajone të tjera ku ka konflikte luftarake, si dhe të personave të cilët kanë rekrutuar shtetas të Maqedonisë për të marrë pjesë në luftimet në Siri”, deklaroi zëdhënësi i MPB-së, Ivo Koteski, citon agjencia zyrtare e lajmeve në Maqedoni Mia. Aksioni është në fazën përfundimtare dhe po zhvillohet në disa qytete, Shkup, Tetovë, Strugë, Kumanovë e Gostivar. Për fazën finale janë angazhuar njësitë speciale të ministrisë së Brendshme të Maqedonisë. Ndërkohë mediat  informojnë se policia mëngjesin e sotëm është futur në Xhamin Tutunsuz dhe Jahja Pashë. Jo zyrtarisht  raportohet se Aksioni policorë ka përfunduar, dhjetëra persona janë arrestuar. Alsat-M mëson se në mesin e të arrestuarve është edhe Rexhep Memishi Imam dhe ligjërues në Xhaminë Tutunsuz në Gazi Babë dhe Jahja Pashë. Ndërkohë ministria e Brendshme në orët në vazhdim pritet të japë informacion për arrestimet