Vllaznia në futboll për femra ka humbur ndeshjen e parë të ligës së kampioneve. Vajzat kuqeblu kanë qenë edhe të pafat në këtë përballje të parë ndaj ekipit danez të Fortuna Hjorring.

Vllaznia e nis më mirë lojën me dy raste të pastra por që nuk shfrytëzohen siç duhet. Më pas është skuadra mike që godet dy herë shtyllën pingule por pa arritur tek goli. Pjesa e parë mbyllet 0-0. Në pjesën e dytë është minuta e 68 kur Franja shkakton një penallti që kthehet në gol nga Moller.

Vllaznia në minutën e 95 ka një rast të artë për të barazuar por amerikania Dojle humb shansin më të mirë të gjithë ndeshjes duke bërë që ekipi mik ta fitojë ndeshjen. Trajneri i Vllaznisë Nikolin Lekaj tha se ekipi i tij do të provojë të fitojë ndeshjen e kthimit.

Trajnerja e Fortuna Hjorring, Karri Kveton tha se ende asgjë s’ka përfunduar përsa i përket kualifikimit.

.“Ishte një ndeshje e fortë. Them se e merituam fitoren edhe pse Vllaznia luajti mirë dhe na rrezikoi në disa momente. Ishte një ndeshje e fortë dhe kishte duele interesante. Skuadra jonë e dominoi lojën besoj se kishim raste më të pastra dhe them se e merituam fitoren.

Vajzat tona treguan karakter dhe luftuan fort në këtë ndeshje të vështirë që kishim në transfertë. Jemi të qetë për momentin por asgjë nuk ka mbaruar. Kualifilimi për ne nuk është mbyllur sonte edhe pse kemi fituar ndeshjen e parë këtu në Shkosër.

Na duhet sërish shumë punë dhe një paraqitje e mirë edhe në shtëpi në mënyrë që të sigurojmë kualifikimin. Duhet që të japim maksimumin dhe të luftojmë fort dhe të mos gabojmë. Shpresoj se do t’ia arrijmë sepse ky është edhe objektivi që kemi. Vllaznisë i uroj suksese”.

Vllaznia është skuadra e parë shqiptare në futbollin e femrave që arrin mes 32 më të mirave në ligën e kampioneve ndërsa tashmë do të provojë shansin në ndeshjen e kthimit edhe pse është e vështirë pas humbjes së pësuar në Shkodër.

Artikulli paraprakSHKODËR, PREMIERA E AKTORIT SANDËR RUÇI
Artikulli tjetërKUVENDI RRËZON DEKRETET E METËS