Shqipëria nuk e ka zgjatur për shumë kohë gëzimin e arritur në fitoren me Izraelin. Kuqezinjtë janë mundur 2-0 në ndeshjen e luajtur ndaj Skocisë në transfertë, ndeshja e dytë e vlefshme për Ligën e Kombeve.

Në fakt pritej një fytyrë tjetër e kombëtares shqiptare pas fitores me izraelitët por ndodhi e kundërta, një ndeshje e dobët dhe një humbje e pastër në fushën e Skocisë. Ajo që la një shije jo të mirë përveç rezultatit është edhe paraqitja aspak e mirë e ekipit të Panuccit.

Skocia i shënoi golat në pjesën e dytë teksa Gjimshiti bën një autogol në minutën e 47′ ndërsa në minutën e 68 është Naismith ai që mbyll llogaritë në këtë përballje duke i dhënë fitoren 2-0 skocezëve.

Me këtë fitore Skocia merr kreun e Grupit 1 të Ligës C, me 3 pikë. Shqipëria renditet e dyta me 3 pikë, por përveç golavarezhit më të dobët është edhe skuadra e vetme që ka zhvilluar dy takime ndërsa mbyll grupin Izraeli me 0 pikë.

Në sfidën ndaj skocezëve për Shqipërinë u aktivizua edhe sulmuesi shkodran Bekim Balaj i cili nuk diti të shfrytëzojë siç duhet rastet para portës. Tashmë kjo luhatje në rezultate e kombëtares tregon se trajneri Panucci ka ende shumë punë për të bërë.