Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka përshëndetur ndryshimet e miratuara për Policinë e Shtetit, të cilat sipas tij i hapin rrugë modernizimit të saj.

Lleshaj shprehet se tashmë Policia e Shtetit do të hapë dyert e Akademisë për studentët që kanë përfunduar me rezultate të larta, të cilët më pas mund të integrohen në strukturat e hetimit në Polici.

“Ndryshimet e miratuara mbrëmë nga Kuvendi në Ligjin “Për Policinë e Shtetit”, hapin rrugën drejt një etape të rëndësishme të modernizimit të saj. Policia e Shtetit hap dyert e Akademisë së Sigurisë për studentët që kanë përfunduar me rezultate të larta në ekonomi, financë, informatikë, elektronikë dhe jurisprudencë.

Të diplomuarit universitarë do të integrohen në strukturat e hetimit në Policinë e Shtetit, pasi të kalojnë një periudhë arsimimi e trajnimi në Akademinë e Sigurisë,”-shkruan Lleshaj në Twitter.

Ligji tashmë i miratuar krijon menjëherë 775 vende të lira në Policinë e Shtetit, nga të cilat 315 vende vakante për pozicionin nënkomisar si dhe 360 vende të lira për funksione të veçanta në Policinë e Shtetit.

Disa ditë më parë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, ministri i Brendshëm u bëri thirrje studentëve që t’i bashkohen Akademisë pasi Policisë së Shtetit i duhet një cilësi e re.

“Kriteret e pranimit do të jenë shumë të rrepta për t’u inkurajuar që të futen në polici kapacitete të larta, kemi nevojë për cilësi të re,”-u shpreh ndër të tjera Lleshaj.

Artikulli paraprakPARA FESTAVE TË FUNDVITIT, RAMA VENDOS MBLEDHJEN E KRYESISË DHE ASAMBLESË SË PS-SË
Artikulli tjetërKRYEMADHI: RAMA ËSHTË PENG I SPAÇATOREVE, E PRET GIJOTINA