Kryeministri Edi Rama, duke marrë fjalën në seancën për votimin e ligjit të vetting-ut, ka deklaruar se kemi të bëjmë me hapin më të rëndësishëm të të gjithë reformës në drejtësi.

“Sot jemi pranë një kurorëzimi të rëndësishëm, që është baza e reformës në drejtësi, që i hap rrugë fshesës së hekurt në pallatin e drejtësisë dhe nis spastrimin e saj nga ata që kanë marrë peng drejtësinë në këtë vend, kanë marrë peng liri e të drejta, e kanë kthyer drejtësinë në një mall që shitet e blihet dhe kanë penguar jo vetëm çdo qytetar në rrugën e vetë për të marrë të drejtë, por një popull të tërë”, ka deklaruar Rama. Sipas tij, ata që kundërshtojnë reformën në drejtësi kanë probleme me drejtësinë. “Ata që duan të pengojnë këtë proces të rëndësishëm janë ata që kanë frikë se çfarë vjen pas kësaj reforme”, ka thënë shefi i qeverisë, duke akuzuar opozitën për prishjen e konsensusit. “Ne i bëmë të gjithë përpjekjet për konsensus, por nuk mund të ketë një konsensus alla shqiptarçe që bie ndesh me atë të partnerëve, në kuadër të integrimit në BE”, ka thënë Rama. Ai ka paralajmëruar se, “nga kjo reformë çdo politikan, sado legjendar e sado historik do ta ketë të pamundur t’i shpëtojë drejtësisë përmes kërcënimeve dhe përmes thirrjeve një pjese të popullsisë që të urrejë pjesën tjetër”. “Venecia na rekomandon që këto masa janë jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme. Askush nuk do të mund t’i shpëtojë drejtësisë. Drejtësia vonon por nuk harron”, ka vijuar Rama. Berisha: Qeveria e krimit prishi konsensusin Ish-kryeministri Sali Berisha, duke marrë fjalën në seancën parlamentare për votimin e ligjit të vetting-ut në kuadër të reformës në drejtësi, ka deklaruar se kjo seancë mbahet në një moment kur krimi ka pushtuar gjithë vendin. “Seanca mbahet kur në vetëdijen e çdo shqiptari është shndërrimi i vendit në kanabistan. Shndërrimi i Shqipërisë në kanabistan përbën krimin më të rrezikshëm në këto vite”, ka thënë Berisha. Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Berisha ka përsëritur akuzat për kriminalizim të strukturave të shtetit. “Urime që zgjodhe Arben Ndokën president të Federatës së Mundjes. Kjo është piramida më e rrezikshme me të cilën përballen Shqipëria dhe shqiptarët”, ka thënë Berisha. Ai i ka kujtuar kreut të qeverisë edhe një batutë, që sipas tij ai ia ka thënë ambasadorëve për veriun. “Ti i bën këto kur një ambasadori i ke thënë se veriorët janë kriminelë dhe duan kriminelë. Një urrejtje kjo që nuk ishte as në kohën e diktaturës”, ka thënë Berisha. Sa i takon reformës, ai ka nënvizuar se, “opozita ka luftuar shumë për standardin e këtij ligji, por tani po prishet konsensusi”. “Është detyrimi ynë që reforma të ketë sukses. Ne përcaktuam një mënyrë tjetër për verifikimin e gjyqtarëve, por ju po e prishni”, ka thënë më tej Berisha. Mediu: Ligji, një farsë politike Në Kuvendin e Shqipërisë po zhvillohet seanca e jashtëzakonshme për votimin e ligjit të vetting-ut, në kuadër të reformës në drejtësi. I pari që ka marrë fjalën ka qenë kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, i cili ka deklaruar se mazhoranca po miraton një ligj që përmbush vetëm interesat e saj politike. “Nuk kemi një parlament të përgjegjshëm për të parë çfarë është ligji, por kërkohet që vetëm në përputhje me interesat politike të miratohet një ligj që shkel Kushtetutën”, ka thënë Mediu. Duke iu drejtuar deputetëve të mazhorancës, Mediu e ka akuzuar atë se, edhe në nisje të procesit të reformës kërkoi një proces të njëanshëm. “Vendosët vija të kuqe, të zeza apo jeshile dhe edhe sot vazhdoni të diskutoni për to, edhe pse nuk ka asnjë vijë të tillë. Thjesht ia keni hequr barrën vetes tuaj dhe ia u keni vënë të tjerëve”, ka thënë Mediu, i cili ka theksuar se, “opozita nuk mund të bëhet pjesë e një farse ligjore”. “Të gjithë ata që bëjnë vetting-un duhet të jenë të kontrolluar nga qeveria. Në këtë mënyrë ligji krijon hapësira për veprime selektive, që do të kenë pasoja për qytetarët”, ka shtuar kreu i Partisë Republikane.

Artikulli paraprakVLLAZNIA I RIKTHEHET SEANCAVE STËRVITORE NË SHKODËR
Artikulli tjetërPARLAMENTI, MAZHORANCA MIRATON LIGJIN PER VETINGUN