PËRCAKTOHET MËNYRA E TRAJTIMIT TË NDRYSHIMIT TË KLIMËS.Vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara kanë arritur një marrëveshje mbi mënyrën se si duhet trajtuar ndryshimi i klimës. Delegatët kanë miratuar një strukturë bazë mbi të cilën do të përcaktohen angazhimet kombëtare, e që do të shpalosen në një samit të vitit të ardhshëm. 

Dallimet mbi tekstin e draftprojektit shkaktuan vonesën me dy ditë të bisedimeve në Lima të Perusë. Grupet e ambientalistëve kanë kritikuar marrëveshjen, si një kompromis të dobët dhe joefektiv, duke thënë se ajo dobëson edhe më tej rregullat ndërkombëtare mbi klimën.Bisedimet rezultuan të vështira për shkak të dallimeve mes vendeve të pasura dhe të varfra, mbi shkallën dhe fushëveprimin e planeve për të trajtuar ngrohjen globale.Sipas korrespondentëve të BBC, asnjë prej 194 vendeve pjesëmarrëse në bisedime nuk u largua me gjithçka dëshironte, por gjithsecili mori diçka në favor.Ministri peruan i Mjedisit, Manuel Pulgar-Vidal, i cili kryesonte samitin, tha për reporterët se “teksti nuk është perfekt, por përfshin pozicionimet e të gjitha palëve”.Marrëveshja u miratua vetëm pak orë pasi një tjetër draft u refuzua nga vendet në zhvillim, të cilat akuzuan vendet e pasura për shmangie të përgjegjësive të tyre mbi luftën ndaj ngrohjes globale, apo për të paguar për impaktet e saj.Drafti përfundimtar thuhet se ka sheshuar shqetësimet kryesore, teksa vendet sipas tij “kanë përgjegjësi të përbashkëta, por të diferencuara”