Nën masa të forta të policisë, u mbajt në Gjykatën e Fierit, seanca për të caktuar masat e sigurisë për 4 protestuesit e arrestuar gjatë tubimit të organizuar nga Partia Demokratike në Fier dhe në Roskovec, për të penguar vizitën e kryeministrit Rama në këtë qark më 8 dhe 9 mars.

Ndaj Behar Xhelos, Besnik Jaupajt, Gëzim Ballës dhe Hysen Hoxhës, gjykata vendosi masën e sigurimit personal ‘detyrim paraqitje’. Në momentin e lirimit u shprehen se do të protestojnë prapë nëse protestat do të jenë të ligjshme.

Në seancë ka tentuar të futet edhe kryetari i Partisë Demokratike të Fierit, Luan Baçi. Por policia bllokoi hyrjen në Gjykatë.

Sipas një video që shfaq debatin e Baçit me efektivët para gjykatës, punonjësit e policisë i janë drejtuar Luan Baçit me fjalët: Merr leje nga drejtuesit tanë. Merr kontakt me shefin dhe pyet ate.

Më 8 dhe 9 Mars, simpatizantët e PD-së protestuan kundër kryeministrit Rama, ku nuk munguan edhe përplasjet me policinë, duke plagosur një efektiv të FNSH-së.