Gjykata e Shkallës së Parë Durrës ka marrë dje një vendim për të liruar me kusht “të fortin” e Durrësit Lulzim Berisha.

Vendimi ka ardhur pasi Gjykata e Lartë kishte rrëzuar një kërkesë të Prokurorisë, për ta dënuar Lulzim Berishën me burgim të përjetshëm. Me vendim të Gjykatës së Apelit ai ishte dënuar me 25 vjet burg dhe i kishin mbetur edhe 5 vjet për të shlyer, raporton ‘Panorama’. Mësohet se Lulzim Berisha e ka lënë dje qelinë e burgut. Një muaj më parë, kreu i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha i ishte drejtuar Gjykatës me kërkesën e lirimit nga burgu, me pretendimin se është i sëmurë rëndë. Kërkesa e Berishës, që prej 12 vjetësh qëndron në qeli, është bërë përmes avokatit mbrojtës, i cili e kishte depozituar atë në Gjykatën e Shkallës së parë në Durrrës. Sipas avokatit, klienti i tij kërkon në bazë të nenit 478 të Kodit të Procedurës Penale lirimin e tij nga burgu. Pas hedhjes së shortit kërkesa u caktua të shqyrtohej nga gjykatës Tristan Hamitaj. Sipas vetë trupit gjykues, Lulzim Berisha ka kërkuar lirimin nga burgu me arsyetimin se “vuan nga një sëmundje e rëndë dhe i rrezikohet jeta po të qëndrojë në qeli”. Ai u arrestua në prill të vitit 2006 dhe që nga ajo kohë ndodhej në burg deri diten e djeshme. Ai ishte dënuar me 25 vite burgim me vendim të formës së prerë.

Artikulli paraprakDËRGOHEN DREJT FRANCËS 160 TONË PËRBËRËS NAPALMI
Artikulli tjetërDHUNA,11 DENONCIME NË DITË.ÇDO VIT 2.100 GRA ME URDHËR MBROJTJEJE