Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj morën pjesë në një veprimtari kushtuar integrimit europian të Shqipërisë, e cila u zhvillua në Parlamentin Europian, nën kujdesin e grupit parlamentar të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D) në PE.

Veprimtaria u moderua nga eurodeputeti Knut Fleckenstein dhe në të morën pjesë deputetë të Parlamentit Europian, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Bruksel, përfaqësues të agjencive të ndryshme europiane, studentë etj.

Ministrat Lleshaj dhe Gjonaj prezantuan progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, me fokus luftën kundër krimit te organizuar dhe korrupsionit, frenimin e migracionit të paligjshëm si dhe reformën në drejtësi.

Në pyetjet dhe diskutimet e pjesëmarrësve u evidentua dhe u vlerësua progresi i dukshëm i bërë nga Shqipëria si dhe u shpreh mbështetje pa ekuivoke për hapjen e negociatave të anëtarësimit të saj, sipas rekomandimit të Komisionit Europian.

Pas veprimtarisë në Parlamentin Europian, ministrat Lleshaj dhe Gjonaj iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference të përbashkët për mediat.

Artikulli paraprakE SHKARKOI VETINGU, REAGON FUAT VJERDHA!
Artikulli tjetërMETA NIS KONSULTIMIN ME PARTITË POLITIKE PËR CAKTIMIN E DATËS SË ZGJEDHJEVE