Në 106-vjetorin e krijimit të Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj u shpreh se do të ketë lëvizje në Polici, për përmirësimin e punës.

“Lëvizjet në polici janë normalitet dhe jo shprehje mosbesimi”-tha Lleshaj.
Para drejtuesve dhe ish-drejtuesve të Policisë, Lleshaj theksoi se policia po sulmohet nga një front tjetër, nga politika.

“Për shkak të natyrës së ndërlikuar të misionit që kryen, jo rrallë herë, Policia e Shtetit është bërë shënjestër e sulmeve të ndryshme. Sigurisht, ajo do të jetë në shënjestër të sulmeve të krimit, për të cilat është e përgatitur dhe e gatshme të përballet dhe të fitojë.

Por ka edhe një kategori tjetër sulmesh, kryesisht politike, për të cilat Policia e Shtetit nuk është dhe as nuk ka ndërmend të përgatitet për mbrojtje.

Policia duhet të jetë e rreshtuar në front përballë me krimin, ndërsa krahët dhe shpinën e saj duhet dhe do ta mbrojë politika e përgjegjshme, Qeveria, institucionet dhe mbi të gjitha qytetarët, aleatët e saj të përhershëm. “-tha Lleshaj.

Për grabitjen e armëve në Pashaliman, Ministri i Brendshëm tha se hetimet po bëhen nga policia ushtarake.

“Pashalimani po hetohet nga policia ushtarake. Ngjarja e Durrësit e shëmtuar, por nuk komentoj ngjarje që po hetohen”-tha Lleshaj.

Interesit të gazetarëve nëse operacioni Forca e Ligjit vazhdon, Lleshaj iu përgjigj se: “Forca e Ligjit është në vijim e sipër dhe do të shihni rezultatet e saj sa herë të jenë prezente. Gjithë policia do të jetë pjesë e operacionit Forca e Ligjit që do të ketë intesifikim serioz”.

Për sa i përket protestës së studentëve, Ministri i Brendshem u shpreh se janë vetëm pak persona që po protestojnë dhe se policia nuk po ndërhynë.

“Dua të them që policia ekziston për të ofruar siguri dhe qëndron jashtë palëve. Kemi të bëjmë me një grup të vogël studentësh që pasi përfundoi protesta kanë menduar ta vijojnë në një formë tjetër protestën.

Ligji garanton autonominë dhe paprekshmërinë, që nënkupton paprekshmërinë nga çdo formë e dhunës. Kemi patur shqetësime për bllokimin e disa universiteteve.

Ka patur kërkesë nga drejtuesit e universiteteve për të larguar studentët që ishin atje. Ambientet duhet të mbeten të lira. Të bëhet kujdes.”-tha Lleshaj.

Në këtë 106-vjetor të Policisë së Shtetit, Drejtori i uniformave blu, Ardi Veliu i pyetur nga gazetarët për fshehjen e ngjarjeve të fundit, duke përfshirë grabitjet dhe tritolin në Tiranë tha se materialet janë referuar në prokurori dhe se policia nuk po fsheh ngjarjen.

Artikulli paraprak40 VITE PASI U ARRATIS NGA BURGU, ARRESTOHET TERRORISTI ITALIAN CESARE BATTISTI
Artikulli tjetërGREQI, DORËHIQET MINISTRI I MBROJTJES, SHKAK MARRËVESHJA PËR EMRIN E MAQEDONISË