Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka prezantuar ekipin e ri ”Shqiponja” në Shkodër pas disa qyteteve të tjera në Shqipëri.

Lleshaj ka theksuar se siguri ka atëhere kur s’ka frikë prandaj do të synohet që Shqipëria të kapë parametrat e BE sa i përket ngjarjeve dhe shkallës kriminale.

Ai ftoi të rinjtë në Shkodër të jenë pjesë e skuadrës së re ”Shqiponja” duke theksuar se në këtë qytet nuk mungojnë talente, pasi ndër dekada, i ka dhuruar ka ofruar shumë jo vetëm për veten por gjithë Shqipërinë.

FJALA E SANDËR LLESHAJT

E nderuar znj. Prefekte,
Znj. Kryetare e Bashkisë Shkodër,
Z. Kryetar i Bashkisë së Malësisë së Madhe,
Z. Kryetar i Bashkisë Vau i Dejës,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore në Shkodër,
Drejtues të Policisë së Shtetit,
Anëtarët më të rinj të ekipit “Shqiponja” në Shkodër,

Së pari, më lejoni të shpreh kënaqësinë për mundësinë e pjesëmarrjes sot në këtë takim të rëndësishëm në Shkodër, në këtë vend që ndonëse nuk ka qenë një adresë, dalëngadalë duket se po bëhet një adresë e bukur që i shtohet qytetit, dhe adresave të tjera të bukura që ka Shkodra, përmes kësaj godine ose këtij kompleksi që po hedh shtat këtu mbrapa nesh. Dhe shpresojmë që së shpejti të jetë në funksion të plotë të detyrave që kryen Policia e Shtetit.

Po bëhen vite që ne përpiqemi të ndërtojmë ose të konsolidojmë strukturat e shtetit, dhe një ndër elementët kryesorë, që e karakterizon shtetin si përkufizim është siguria. Siguria si parakusht i lirisë. Siguria dhe liria janë dy koncepte të cilat janë në një farë mënyre të ndërlidhura ngushtë me njëri-tjetrin. Liria pa sigurinë nuk ekziston, është thjesht një iluzion, ndërkohë që siguria pa lirinë është e pa vlerë.

Dhe na duhen të dyja, na duhet siguria në mënyrë që të kemi lirinë, dhe pikërisht për këtë arsye ne jemi shumë të qartë dhe shumë të vendosur që siguria mund të realizohet vetëm kur kombinojmë të gjitha përpjekjet, një ndër të cilat është investimi serioz në të.

Ndaj dhe sot ne kemi të drejtë ta prezantojmë edhe ekipin e ri “Shqiponja” në Shkodër, i cili ashtu si në qarqet e tjera të Shqipërisë, i shtohet Policisë së Shtetit si një vlerë e shtuar, si një kapacitet i ri. Së bashku arrijnë në vlerën prej 500 forcave të reja të policisë që i shtohen organikës së saj vetëm këtë vit. Ndërkohë në qoftë se mbledhim numrin e policisë së shtuar gjatë viteve të fundit, shkojmë tek shifra 1700, gjë që përbën një kontribut të madh në funksion të sigurisë së vendit. Kontribut, i cili është reflektuar pastaj në parametrat e sigurisë të cilët kanë njohur përmirësim të vazhdueshëm në të gjitha fushat.

Duhet theksuar për të gjithë ata që na ndjekin që koncepti që qëndron mbrapa kësaj shtese, nuk është thjesht një shtesë masive, nuk është shtesë e numrit organik në përgjithësi, por është shtesë kapacitetesh të reja të munguara, pra ne nuk kemi shtuar ato struktura që i kishim, por kemi krijuar struktura dhe kapacitete, që nuk i kishim, për arsye se duhet të përballemi me sfida dhe kërcënime që jo domosdoshmërisht i kemi pasur.

Kjo është qasja e re strategjike, e cila synon pikërisht atje ku kemi qenë ose të papranishëm, ose minimalisht të pranishëm. Ndaj janë shtuar disa kapacitete të reja, së pari në nivelin vendor janë shtuar ekipet “Shqiponja”, nga qarku i Shkodrës, apo i Kukësit në veri, e deri në Gjirokastër në jug.

Ndërkohë që qëllimi i kësaj shtese lidhet me përpjekjen për të mbuluar një pjesë të re të spektrit të përgjegjësive dhe detyrave, të cilat kanë qenë të pambuluara mirë, për shkak të mungesës së kësaj strukture.

Ne jemi të bindur që me këtë strukturë parametrat e sigurisë do të njohin përmirësim. Për arsye se kjo strukturë përfaqëson jo thjeshtë një numër, por përfaqëson një vlerë, e cila përbëhet nga djem dhe vajza të përzgjedhur mirë.

500 efektivët e rinj të policisë që u zgjodhët këtë vit janë përzgjedhur ndër 2500 kandidatë para një viti, të cilët hynë në Akademinë e Sigurisë, kryen arsimimin në Kolegjin e Policisë dhe morën detyrën e tyre në të gjitha anët e vendit.

Por jo vetëm në nivelin vendor, shtesa e kapaciteteve kanë ndjekur një trajektore rritëse dhe intensive edhe në nivelin qendror.

Ne kemi shtuar në qendër një numër të konsiderueshëm njësish të reja, që në fakt janë kapacitete të reja të munguara të policisë, në fushën e krimit ekonomik përmes njësisë “E”, në fushën e kapjes së personave në kërkim përmes njësisë “K”, në fushën e inteligjencës policore përmes shtimit të njësisë “I”, në fushën e krimit kompjuterik përmes krijimit të njësisë “C”, dhe fushën e luftës kundër aseteve kriminale përmes krijimit të njësisë së Operacionit Forca e Ligjit.

Janë të gjitha këto, të gjashtë këto njësi të reja, të krijuara rishtazi, të cilat synojnë të adresojnë një spektër të gjerë të krimit, i cili nuk ka qenë i adresuar sa duhet, për arsye shumë të njohura.

Gjej rastin sot të përshëndes në mënyrë të veçantë faktin që pas nënshkrimit të memorandumit mes Prokurorit të Përgjithshëm, Ministrit të Brendshëm, Ministrit të Financave, u finalizua edhe pranë Prokurorisë së Përgjithshme krijimi i një kapaciteti të ri që merret me luftën kundër krimit ekonomik, financiar dhe pastrimit të parave.

Gjë që do të thotë që jo vetëm në Policinë e Shtetit por në të gjitha strukturat e tjera ligjzbatuese po ndiqet e njëjta filozofi. Filozofia e krijimit të kapaciteteve të specializuara, të cilat do të jenë të afta për t’u ndeshur në një nivel shumë profesional me krimin, i cili po sofistikohet për ditë e më tepër, dhe po hyn në terrene të panjohura më parë, siç është terreni i transaksioneve financiare, i pastrimit të parave, apo domenit tjetër që është domeni kompjuterik dhe kibernetik, fusha në të cilat krimi po njeh, po tenton të futet dhe të performojë në rrugë kriminale.

Ndërkohë që ne po përpiqemi me sukses të futemi me kapaciteteve profesionale, me kapacitete të mirë trajnuara, të mirë pajisura, me qëllim që edhe ballafaqimi të jetë i suksesshëm.

Të nderuar zonja dhe zotërinj,

Ne kemi synuar që jo vetëm të shtojmë numerikisht kapacitetet, jo vetëm të shtojmë njerëzit, jo vetëm t’i trajnojmë ata, jo vetëm të vendosim në dispozicion të tyre teknologjinë e nevojshme, logjistikën e nevojshme, një pjesë të së cilës e shikoni këtu, por besoj e keni parë edhe më gjerë, një flotë e tërë automjetesh dhe mjetesh të tjera janë vënë në shërbim të Policisë së Shtetit, e cila tashmë mundet vërtet të prezantohet me dinjitetin e duhur para qytetarëve, dhe me vendosmërinë dhe me efektivitetin e duhur përballë krimit.

Qëllimi i gjithë kësaj pune ka qenë që jo thjesht të shtojmë numrat, por të shtojmë cilësinë e njerëzve të cilët përfaqësojnë këto numra. Kjo cilësi është materializuar siç e përmenda në përzgjedhje shumë të kujdesshme të numrit të kandidatëve, që futen në Akademinë e Sigurisë, e cila po bën vite që po punon me intensitetin më të lartë historik në historinë e saj.

Kurrë Akademia jonë e Sigurisë nuk ka pasur më shumë djem dhe vajza të rinj brenda auditorëve të saj, dhe ne do ta vazhdojmë me përgjegjësi këtë tendencë në mënyrë që të arrijmë sa më shpejt të jetë e mundur ta rinojmë trupën e Policisë së Shtetit shqiptar, të përmirësojmë atë profesionalisht duke zgjedhur më të mirët dhe duke u dhënë atyre trajnimin më të mirë përmes kurrikulave moderne dhe përmes partneritetit dhe binjakëzimit me Akademi homologe të BE.

Në të njëjtën kohë në këtë Akademi ne kemi hapur dyert për pranimin edhe nga radhët e atyre që i kanë përfunduar universitetet me rezultate shumë të larta, sepse për universitarët kemi vendosur nivele të larta pranimi me notën mesatare mbi 8, me nivelin e gjuhës angleze po në këtë nivel, me kondicionin fizik, kriteret e karakterit dhe integritetit me qëllim që në radhët e policisë dhe sidomos të Policisë Kriminale, pra të strukturave të hetimit, të futet një kategori e re, një profil i ri i oficerit të policisë, i munguar më parë në Policinë e Shtetit, pra oficerë policie të cilët kanë formim solid universitar, profesional, që kanë angazhim dhe gjithë kapacitetet për t’u futur në këtë përballje me krimin, e cila tashmë përditë e më tepër bëhet më e sofistikuar dhe më e komplikuar.

Të nderuar zonja e zotërinj,

Për ta lidhur pak me atë citatin e Reganit që përmendi Drejtori i Policisë së Shkodrës që “siguria përkufizohet si mungesë e frikës”, siguri ka atëherë kur nuk ka frikë. Nuk është siguria thjesht që të mbajmë parametrat optimalë.

Mund t’i kemi parametrat optimalë, numrin e vrasjeve ta kemi të krahasueshëm me vendet e rajonit apo të Europës, numrin e grabitjeve, vjedhjeve, aksidenteve rrugore etj., mund t’i kemi të gjithë parametrat objektivë që karakterizojnë sigurinë në nivele optimale, të krahasueshme me të tjerët, por na duhet që të kemi edhe perceptimin publik të krahasueshëm më të tjerët, duhet që publiku të mos e ndiejë frikën. Vetëm atëherë ne e kemi arritur objektivin, kemi arritur atë që duhet, kur publiku nuk ka frikë, ndërkohë që nuk kemi asnjë problem, madje jemi krejt normal nëse banditët e kriminelët kanë frikën e nevojshme.

Që të arrijmë këto duhet të forcojmë në mënyrë të qëndrueshme marrëdhëniet me publikun. Siguria është një e mirë publike, e cila nuk mund të ndërtohet vetëm nga strukturat e specializuara siç është policia apo strukturat e tjera ligjzbatuese.

E mira publike ndërtohet në mënyrë publike, me pjesëmarrjen të publikut dhe siguria është e mira e parë publike, me përkufizim, e cila prodhohet në një shoqëri normale. Që ta prodhojmë këtë të mirë publike, që të prodhojmë siguri, duhet që të mobilizojmë në krijimin e saj të gjithë qytetarët. Nuk diskutoj institucionet, të kujtdo rangu e niveli qofshin, por duhet pjesëmarrja e qytetarëve. Dhe qytetarët marrin pjesë vetëm atëherë kur ata krijojnë bindjen që ne jemi të denjë për bashkëpunimin e tyre, kur ata krijojnë besim që informacioni, bashkëpunimi, ndihma, kontributi i tyre nuk nëpërkëmbet, nuk anashkalohet, nuk injorohet dhe për më tepër, nuk tradhtohet.

Nëse ne do të arrijmë që t’i zgjerojmë këto kanale komunikimi me qytetarët, do të jemi të sigurt që shumë më pak do të duhet të bëjmë përpjekje fizike në drejtim të sigurisë për arsye se është fort e thjeshtë që siguria të përmirësohet nëse marrin pjesë të gjithë në krijimin e saj.

Duke e përfunduar gjej edhe njëherë rastin t’i uroj të gjithë djemtë e vajzat që janë këtu për fillimin e detyrës.

E di që nuk janë të gjithë nga Shkodra dhe me këtë rast gjej mundësinë t’u bëj thirrje të rinjve dhe të rejave të Shkodrës që t’i bashkohen policisë, të aplikojnë për t’u bërë pjesë e saj, në mënyrë që të kemi sa më shumë të rinj e të reja të Shkodrës këtu, apo edhe në qarqe të tjera, se nuk është e thënë që të jenë këtu, por është e rëndësishme që t’i ftoj për t’u bashkuar sa më shumë në radhët e policisë, për arsye se në policinë e re do të gjejnë hapësira të madha për zhvillimin dhe për kënaqjen e ambicieve të tyre të larta profesionale.

Policia po bëhet përherë e më tepër një strukturë shumë e specializuar, shumë e profilizuar, e cila ka vend për të gjithë ata që kanë mend, inteligjencë, forcë, zemër. Që nga informaticienët, elektronikët, financierët, bankierët etj., për arsye se e tillë është policia që kemi sot. Edhe më e komplikuar do të bëhet ajo që do të kemi nesër, ndaj ka shumë vend dhe nevojë për talentin dhe kontributin e të gjithëve. Dhe këtu, kur bëhet fjalë për talent e kontribut, shkodranëve nuk u mungon. Dhe unë gjej rastin t’i ftoj që të bëhen pjesë e saj. ndërkohë djemve dhe vajzave që janë këtu u uroj edhe njëherë suksese e punë të mbarë!

Konsiderojeni fat që jeni në Shkodër, se Shkodra ka shumë për të ofruar, jo vetëm sfidë profesionale, por edhe kënaqësi personale, në kuptimin e eksplorimit të traditës së pafund, të pasurisë së pafund, të vlerave të pafund që ky qytet ka prodhuar me shumicë, jo vetëm për veten, por edhe për Shqipërinë.
Faleminderit dhe punë të mbarë!