Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e ministrisë së Brendshme, pavarësisht mosbindjes së Ilir Metës. Kryeministri Edi Rama vendosi ta emërojë gjeneralin si zv/ministër, duke i deleguar drejtimin e dikasterit të punëve të Brendshme.

Këtë vendim ai e ndau edhe me grupin parlamentar socialist, ku edhe ka njoftuar mbledhjen e Parlamentit në seancë plenare jashtë radhe, paraditen e të martës, me qëllim miratimin brenda afatit kushtetues të dekretit për shkarkimin nga detyra të Fatmir Xhafës.

Në përfundim të mbledhjes së grupit, Rama zyrtarizoi vendimin me një postim në Twitter: “Dakordësi e plotë në Grupin Parlamentar. Kuvendi do të miratojë nesër dekretin e Presidentit për shkarkimin e ish-ministrit të Brendshëm.

Sandër Lleshi do të marrë drejtimin e MB si zëvendës ministër. Por nuk mbaron me kaq. Për më shumë do t’i drejtohem Kuvendit nesër në 10.00”.

Burime nga mbledhja e grupit i thanë Top Channel se Rama u ka treguar deputetëve mbi përmbajtjen e letrës që ka marrë nga Meta, duke nënvizuar se Presidenti nuk ofronte asnjë shpjegim në lidhje me vendimin e tij, të cilin Rama citohet ta ketë quajtur anti-kushtetues:

“Presidenti nuk ka dhënë asnjë arsye, por vetëm mosbindjen e tij. Mosdekretimi është në shkelje të Kushtetutës. Nuk kemi Gjykatë Kushtetuese dhe ne do gjejmë mënyra të tjera. Ne nuk duhet të biem në këtë situatë që nuk është e jona.

Ne duhet t’i dalim për zot situatës. Derisa të bindim Presidentin që është Sandër Lleshi i duhuri. Nuk ka asnjë lloj mëdyshje për mbështetjen e Lleshit, i cili ka Top-Cosmic, certifikata më e lartë e sigurisë nga NATO”.

Ndërkohë, në Ministrinë e Brendshme u paraqit për herë të fundit Fatmir Xhafaj që komentoi duke cituar Edi Ramën: “Politika është lojë shahu”.

Lojën e shahut e vazhdoi Ilir Meta, i cili thirri në Presidencë Gramoz Ruçin. Pas takimit prej gati 60 minutash, zgjodhi që Kryeparlamentarin ta shoqërojë deri në dalje, ndërsa Presidencia njoftoi se së bashku kishin biseduar në lidhje me konsultimet për datën e zgjedhjeve lokale dhe kandidaturat për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

Brenda pak minutash Presidenca reagoi përsëri, këtë herë mbi takimin Rama-Meta të së dielës. Informacioni i dhënë nga Kryeministria ka qenë ezaurues, thekson zyra e Kreut të Shtetit.

Ndërsa shprehu gatishmëri për bashkëpunim, Meta njoftoi se nuk do pranojë ta sfidojnë: “Presidenti i Republikës bën të qartë se nuk do të lejojë asnjë përpjekje sfiduese ndaj autoritetit te institucionit qe përfaqëson si Kryetar i Shtetit, Komandant i Përgjithshëm i Forcave te Armatosura dhe Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Presidenti i Republikës ka shprehur gjithmonë gatishmërinë e tij t’i japë shpjegime në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të gjitha çështjet që Kuvendi do të shprehë interes.

Presidenti Meta ka bindjen e plotë se koha e drejtimit të shtetit shqiptar me Sekretar të Parë ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”.

Pak metra më tutje, në Kryesinë e Kuvendit, kryeparlamentari Ruçi thirri në takim kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agacin, në lidhje me procedurat që do ndiqen për të caktuar Sandër Lleshin drejtues të Ministrisë së Brendshme.