Në orën kur duhej të ishte në prokurori, 09:30 të mëngjesit të sotëm, kryedemokrati Lulzim Basha nuk është paraqitur në derën e organit të akuzës, por ka bërë një reagim zyrtar shpërndarë nga zyra e shtypit të PD-së, ku shfaq refuzimin e tij për të shkuar në Prokurori. Basha thotë se më parë, prokuroria duhet ta njohë me faktet që ka nga hetimi.

Prokuroria e Tiranës, e cila e ka vënë në hetim lidhur me çështjen e financimit rus për lobimin në Shtete e Bashkuara të Amerikës, e thërriti më 12 qershor për ta njohur zyrtarisht sot, 17 qershor, me akuzat. Lideri i opozitës joparlamentare akuzohet se ka fshehur financimin prej 650 mijë dollarë në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.

Kryedemokrati, së bashku me Arben Ristanin, ish-sekretarin e Përgjithsëm të PD-së si dhe ekonomistin e selisë blu, Ilir Dervishi, të tre në hetim, duke e konsideruar shkelje të ligjit thirrjen në prokurori, i kanë dërguar një letër organit të akuzës, ku thonë se nuk do të shkojnë derisa prokuroria të zbatojë me përpikëri ligjin.

Prokurorisë së Tiranës i janë dashur 20 muaj hetime për të dalë në konkluzionin se Lulzim Basha, kryetar i PD dhe dy funksionarët e lartë të kësaj partie duhen të merren të pandehur për financimin e dyshimtë të përdorur për lobimin në SHBA. Sipas burimeve të Shqiparja.com, Prokuroria e Tiranës është ndihmuar edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe FBI duke e furnizuar me të dhëna dhe informacione.

Konkretisht, Basha, Ristani dhe Dervishi akuzohen për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale (pastrim parash)” dhe “Falsifikim të vulave, stampave ose formularëve”, akuza këto që rrezikojnë t’i dënojnë deri ne 10 vite burg.

Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe dy drejtuesit e tjerë, Arben Ristani dhe Ilir Dervishi e kanë konsideruar në shkelje të ligjit thirrjen e tyre në prokurori sot në orën 9.30. Në një letër drejtuar prokurorisë së Tiranës, Kryetari i PD shpreh gatishmërinë për t’u paraqitur për t’u paraqitur në prokurori, sapo ajo të zbatojë me përpikmeri ligjin.

Në njoftimin e prokurorisë së datës 12 Qershor nuk është zbatuar kërkesa e ligjit për prezantimin e fakteve qe kanë rezultuar deri tani nga hetimet për lobimin e PD në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë arsye, Kryetari i PD i ka kërkuar prokurorisë plotësimin e njoftimit për paraqitje sipas ligjit.

“Ju nuk keni parashtruar në njoftimin tuaj asnjë fakt që ka dalë nga hetimet, duke mos plotësuar detyrimet ligjore”- shprehet në letrën e tij Kryetari i PD, Lulzim Basha. Ai e mbyll letrën duke theksuar se “duke kërkuar gatishmërinë time për të zbatusr ligjin, kërkoj nga prokuroria, që të bëjë të njëjtën gjë.

Në keto kushte, kërkoj plotësimin e ftesës oër paraqitje, siç ju detyron ligji, duke rikonfirmuar gatishmërinë time për t’u paraqitur sipas njoftimit të dërguar nga ana juaj në përputhje me ligjin”

Artikulli paraprakZYRTARE: PS KËRKON SHKARKIMIN E ILIR METËS
Artikulli tjetërMURRIZI: TË HETOHET PASURIA E POLITIKANËVE, E KANË PATUR TEK FIKU TANI KANË BANJO EDHE PËR MACET