Forcat RENEA të ndihmuara edhe me një helikopter, kanë lokalizuar 35 vjeçarin grek që qëlloi me armë në drejtim të forcave të trendit në fshatin Bularat të Gjirokastrës.

Konstandin Kacifas është rrethuar nga policia në zonën pranë depos së ujit në këtë fshat.
Forca të shumta të policisë janë vënë në aksion për arrestimin e tij, i cili me sa duket nuk ka ndërmend të dorëzohet.

Ai ka qëlluar me armë edhe ndaj forcave RENEA, ndërsa mësohet se ka 3 karikatore me vete.Policia lokale bëri me dije se rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm (28 tetor) në krye të fshatit Bularat, 35 vjeçari Kostandinos Kaçifa ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

“Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa porsa ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.
Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të policisë”,thuhet në deklaratë.

Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri ky shtetas ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Shtetasi Kostandinos Kaçifa është futur në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijojnë krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij.

Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së Gjirokastrës kanë shkuar forcat speciale RENEA me anë të një helikopteri.

Policia lokale thotë se shtetasi Kostandinos Kaçifa jeton në Greqi dhe ka rreth një javë që ka ardhur në Bularat.