LSI letër Nishanit e ambasadorëve për shkarkimet në administratë

Lëvizja Socialiste për Integrim i është drejtuar me një letër krerët të shtetit dhe ambasadorëve për shkarkimet e fundit në administratë. Në letër thuhet se vendimi i qeverisë shqiptare më datë 2 qershor për masat dhe monotiorimin e veprimtarisë së administratës gjatë fushatë dhe procesit zgjedhor nuk është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe si i tillë sipas LSI-së është “e patolerueshme që ai i referohet një mbledhje e cila nuk ka ndodhur”. Sipas letrës së nënshkruar nga kryetari i LSI Petrit Vasili, dokumenti qeveritar nuk i është nënshtruar asnjë debati dhe është miratuar në mënyrë të njëanshme dhe se përfaqësuesit e LSI-së në qeveri kanë qenë jashtë diskutimit duke u vënë përpara faktit të kryer. “Një mënyrë e tillë, okulte e funksionimit të qeverisë ku përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, hedh hije të forta dyshimi në një moment kur transparenca, komunikimi i hapur dhe përfshirja e të gjithë aktorëve, janë ato që zgjedhjet e lira dhe të ndershme presin në Shqipëri”, thuhet në letër. Ai thotë se shkarkimet pa motiv dhe provë komprometojnë procesin zgjedhor. “Shkarkimet pa asnjë motiv e provë, duke abuzuar me hapësirat antiligjore të krijuara nga ky vendim, po komprometojnë ecurinë normale të procesit zgjedhor, po instalojnë një klimë absurde abuzimi dhe shpërdorimi me pushtetin, e cila ka përkeqësuar klimën politike dhe ka ushqyer indinjatën e thellë të opinionit publik me këto veprime. Veprime të tilla duhet të ndalen menjëherë”, thuhet më tej. Petrit Vasili thotë se të gjitha institucionet duhet të ndëshkojnë “shkarkimet dhe veprimet e tjera mafioze në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut”. “Asnjë marrëveshje politike nuk mund të dalë mbi ligjet dhe të justifikojë instalimin e një qeverisjeje policore që dhunon të drejtat e liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta dhe ligji”. Vasili i konsideron veprimet si thellësisht antiligjore të ngjashme me “ato të një junte nuk kanë asnjë lidhje me sjelljet e një qeveri demokratike”. Vasili thotë se marrëveshja politike e 18 majit, prodhoi një komunikim të njëanshëm, të mbyllur dhe të errët.