Teksa debati mbi kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike vijon të jetë një nga çështjet më të nxehta politike, Policia e Shtetit thotë se për 2016 janë arritur rezultate mbresëlënëse të shkatërrimit të sipërfaqeve me kanabis së identifikuara nga misioni italian i fluturimeve. Sipas policisë, për t’u theksuar është fakti se në dy fluturimet e fundit të Guardia di Finanza nuk janë gjetur më parcela të mbjella me cannabis, duke dhënë një dëshmi të pakundërshtueshme në lidhje me ndërhyrjet e Policisë së Shtetit në terren. Të dhënat u bënë me dije gjatë një takimi që Drejtori i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako, sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë Publike Drejtues i Lartë Altin Qato dhe drejtues të tjerë të Policisë patën me me oficerët Ndërlidhës Policorë të atashuar në vendin tonë dhe drejtuesit e misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit.

Takimi i sotëm është përqëndruar mbi masat dhe rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato bëri prezent për të pranishmit rezultatet e deritanishme në këtë fushë, ku ndër të tjera vlen të theksohet se këtë vit ndryshe nga vitet e tjera, me kërkesë të Ministrit Tahiri, monitorimi nga ajri është bërë në të gjithë vendin, duke shtuar edhe orët e fluturimit. Gjithë rezultatet tregojnë për një angazhim total të Policisë së Shtetit, për një kontroll shumë herë më të mirë, për një rritje rreth 5 herë më shumë të operacioneve në terren, për ndihmesën e madhe të dhënë nga ICITAP për GPS për të gjetur koordinatat e dhëna nga monitorimi ajror, për shtim të orëve të fluturimit të avionit të Guardia Di Finanza duke monitoruar jo më zona me risk, por të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Prof. Dr. Carmine Gambardella, Dekan i Universitetit të Dytë të Napolit, njëkohësisht dhe Drejtor i Qendrës “BENECON”, theksoi se gjatë periudhës së monitorimit nuk është evidentuar asnjë problematikë dhe teknologjia e përdorur këtë vit ka qenë 100% e saktë. Përfaqësuesit e Misioneve dhe Oficerët Ndërlidhës Policorë, e cilësuan këtë takim shumë të vlefshëm si dhe mjaft pozitive këtë formë komunikimi e informimi të vendosur së fundmi, çka tregon transparencën Policisë së Shtetit gjatë punës së saj.

Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, theksoi se ky takim është i treti i këtij formati dhe e ka cilësuar si mjaft të rëndësishëm, pasi për Policinë e Shtetit, marrëdhëniet me partnerët dhe informimi në mënyrë periodike i tyre, është një vlerë e shtuar në rezultatet e punës së Policisë së Shtetit. Çako ka falënderuar përfaqësuesit e Guradia Di Finanza dhe të Universitetit të Napolit, të Misioneve ICITAP, PAMECA dhe të OSBE-së, si dhe të gjithë Oficerët Ndërlidhës Policorë të atashuar në vendin tonë, për marrëdhëniet mjaft të mira të bashkëpunimit, për asistencën e tyre në punën dhe veprimtarinë e përditshme të Policisë së Shtetit, si dhe për kontributin e dhënë në luftën pa kompromis që po zhvillon Policia e Shtetit kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, por dhe ndaj krimit të organizuar dhe krimit në përgjithësi. Koordinatori i Policisë së Shtetit për misionin e fluturimeve bëri një prezantim të detajuar në lidhje me masat dhe zbatimin e misionit të fluturimeve për zbulimin e parcelave me cannabis me avion të posaçëm të Guardia di Finanza dhe Universitetit të dytë të Napolit. Prezantimi ishte gjithëpërfshirës duke dhënë fakte e rezultate të bashkëndara edhe me palën italiane të Guardia di Finanza dhe Universitetin e Dytë të Napolit prezent në takim.

Artikulli paraprakMOTI NË SHQIPËRI PËR SOT, E MËRKURË 21 SHTATOR 2016
Artikulli tjetërALBIN KURTI PARALAJMËRON LUFTË NË KOSOVË