Lufta kundër terrorizmit,ministrja Kodheli në takimin e SEDM-it

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli po merr pjesë në takimin dyditor të Ministrave të Mbrojtjes të Evropës Juglindore (Southeastern European Defense Ministerial, SEDM) që po zhvillohet në Romë(17-18 tetor). Përveç të ardhmes së SEDM-it, në këtë ministerial, zyrtarët e lartë të Mbrojtjes pritet të diskutojnë për problematika me të cilat përballen sot vendet anëtare, si kriza e refugjatëve, lufta kundër terrorizmit, rritja ekonomike, zhvillimet sociale etj. Në kuadër të diskutimeve mbi luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, ministrja Kodheli pritet të sjellë në vëmendjen e pjesëmarrësve përpjekjet e Shqipërisë për të ngritur në vendin tonë Qendrën e Ekselencës së NATO-s për studimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj. Gjithashtu gjatë punimeve të këtij ministeriali, ministrja shqiptare e Mbrojtjes pritet të zhvillojë takime dypalëshe me homologët e saj të vendeve anëtare të SEDM. SEDM është një iniciativë rajonale e krijuar në Tiranë në vitin 1996 dhe paraqet një proces të bashkëpunimit midis ministrive të Mbrojtjes të vendeve të Evropës Juglindore për të ruajtur paqen dhe sigurinë në rajon. Në këtë iniciativë rajonale marrin pjesë pesëmbëdhjetë shtete anëtarë dhe një shtet vëzhgues

Artikulli paraprakMASAKROHET VARRI MONUMENTAL I FAIK KONICES NE PARKUN E TIRANES
Artikulli tjetërDENOHEN NE BRITANI DY SHQIPTARET E KAPUR ME 11 KG KOKAINE