Luftë kibernetike mes SHBA dhe Rusisë Obama po vlerëson një kundërpërgjigje ndaj hakerëve Rusë. Uashingtoni do t’i kundërpërgjigjet në të njëjtën mënyrë Moskës në lidhje me sulmet kibernetike.

Kjo është njoftuar nga vetë Shtëpia e Bardhë. Ndërkohë, Putin ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se nuk lënë hapësirë për dialog. Presidenti amerikan Barak Obama po vlerëson një kundërpërgjigje “Të njëjtë” kundër hakerëve rusë, të cilët kanë ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale. Njoftimi është bërë nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhosh Earnest, i cili ka theksuar se ekzistojnë një sërë kundërpërgjigjesh ndaj sulmit kibernetik dhe presidenti duhet të zgjedhë njërën mënyrë. “Çfarëdo që të zgjedhë, me shumë mundësi nuk do të bëhet publike”, nënvizoi ai. Menjëherë ka ardhur edhe replika e Kremlinit. “Histeria përreth publikimit të të dhënave të marrë nga hakerat në Shtetet e Bashkuara ka për qëllim shpërqëndrimin e opinionit publik”, është shprehur Vladimir Putin. Presidenti Rus më pas ka nënvizuar se kandidatët për Shtëpinë e Bardhë, “Duke shfrytëzuar temën Rusi, helmojnë mardhëniet dypalëshe”. Putin theksoi se Moska do të punojë me çdo lider amerikan gjithmonë nëse ata do duan që të bashkëpunojnë me Rusinë. Më tej ai shtoi se Kremlini është i shqetësuar në lidhje me përkeqësimin e mardhënieve me Shtetet e Bashkuara por sipas tij kjo nuk ndodhi për zgjedhje të Rusisë. “Dialogu me SHBA praktikisht nuk ekziston. Administrata amerikane formulon atë që i duhet dhe më pas këmbëngul që të ndiqet. Por ky nuk është dialog, është një diktat. Kështu ndodh pothuajse në gjithë rastet”, shprehet Putin. Ndërkohë, sipas ministrit të Jashtëm Rus, Sergei Lavrov akuzat ndaj Moskës për të ndërhyrë në zgjedhjet amerikane janë qesharake, pasi nuk është bërë publike asnjë provë.

Artikulli paraprakARRESTOHEN NE SPANJE KATER ANETARE TE SHTETIT ISLAMIK
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 10.10.2016