Luka Modric është fituesi i “Topit të Artë 2018”.

Kroati i cili zhvilloi një vit fantastik, duke marrë një sër trofesh individual dhe ekuipor, u zgjodh si futbollisti më i mirë i vitit 2018 nga revista franceze “France Football”. Një trofe që e vendos 33 vjeçarin përkrah magjistarëve të futbollit, si George Ëeah, Mattias Sammer, Zinedine Zidane, Ronaldo Fenomeni, dhe dy jashtëtokësorëve, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo.

Pikërisht, Modric “thyen” mitin e argjentinasit dhe portugezit, që kanë fituar 10 edicionet e fundit (5 herë secili) të këtij trofeu mjaft prestigjoz. Vetëm vendi i dytë për fituesin në fuqi, Cristiano Ronaldon, me sulmuesin e Juventusit që nuk arriti të sfidojë talentin e ish-shokut të tij te Reali i Madridit.

Podi plotësohet nga një tjetër yll madrilen, por ndryshe nga Modric e Ronaldo, ai aktivizohet me rivalët e tyre, Atletico-n. Antoine Griezmann nuk i mjaftoi fitorja e Kupës së Botës, Europa League, apo Superkupës Evropiane, duke u kënaqur me shkallën më të ulët në pod. Vit për tu harruar për Lionel Messin që nuk shkoi më shumë se vendi i 5-të në këtë rënditje speciale. “Pleshti” nuk fitoi thuajse asgjë gjatë vitit që po përgatitemi të lëmë pas, duke qëndruar shumë larg rivalit të “Los Blancos”, madje dhe treshes finaliste.

Zbulimi i vitit 2018 ishte padyshim Kylian Mbappe. “Djaloshi i Artë” i Francës dhe PSG-së ishte fantastik gjatë këtij viti, por pavarësisht kësaj, 19 vjeçari u pozicionua vetëm në vendin e katërt. “Top 10” u plotësua nga Mohamed Salah, Raphael Varane, Eden Hazard, Kevin de Bruyne dhe Harry Kane.