Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, Krishtëlindjen, ditën e shpresës dhe të bekimit nga Zoti, e ndau me dy familje në nevojë në bashkinë e Vaut të Dejës, ndërsa urimin për të gjithë shqiptarët e përcolli nga Ipeshkvia e Sapës në Vaun e Dejës.

Në Hajmel, Basha, u ndal në familjen Ndoka, një familje prej 7 anëtarësh, goditur disa herë nga fatkeqësitë dhe pa mbështetje.

Së bashku me kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës, Basha ndau me këtë familje mesazhin që përcjell kjo ditë, sidomos për mesazhin e shpresës dhe solidaritetit.

Kreu i PD, ndau disa dhurata simbolike për 5 fëmijët jetimë të kësaj familje të varfër dhe premtoi se me ardhjen në pushtet, qeveria e djathtë do të fusë si prioritet ndihmën për familje si familja Ndoka në Hajmel.

Pas Hajmelit, Basha u ndal edhe në fshatin Stajka, në familjen Lorja, një familje me 11 anëtarë, e cila është e përfshirë në ndihmën ekonomike por varfëria është ulur këmbëkryq së bashku më sëmundjen e vajzës së vogël.

Basha theksoi se varfëria e këtyre familjeve është drama më e madhe që po përjeton sot shoqëria shqiptare.

“Është një plagë e cila kërkon zgjidhje urgjente dhe ky do të jetë misioni I Partisë Demokratike”, theksoi Basha

I shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Vau Dejës Zef Hila, Basha u takua me Ipeshkvin e Dioqezës së Sapës Dom Simon Kulli ku i përcolli gjithë shqiptarëve urimin për Krishtëlindje.

Në Hajmel, Basha është takuar edhe me banorë të shumtë të cilët, në mënyre festivekanë ndarë urimet me kreun e Partisë Demokratike, duke uruar jo vetëm Krishtlindjen por kanë disktuar edhe një sërë problematikash që shqetësojnë komunitetin.