Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha do të zhvillojë të hënën një vizitë në Kosovë ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit dhe politikës. Vizita e zotit Basha vjen pas ftesës së Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Burime thanë se gjatë qëndrimit në Kosovë lideri i opozitës do të takohet me Kryeministrin Avdullah Hoti, Presidentin Hashim Thaçi, Kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani si dhe me drejtuesit e partive politike, Vetvendosjes, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës-Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re.

Vizita e kreut të PD, në Kosovë zhvillohet në një kohë të rëndësishme nisur nga zhvillimet e javëve të fundi, ndërkohë që ka rinisur dialogu Kosovë- Serbi, intervistimi në Hagë i presidentit Thaçi por edhe në momentet kur Shqipëria dhe Kosova po përballen me sfidën e menaxhimit shëndetësor por dhe ekonomik të situatës së krijuar nga Covid19.

Gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi se duhet një bashkëpunim më i ngushtë ekonomik mes Shqiperisë dhe Kosovës.

Bashkërendimi i veprimeve mes dy vendeve është mënyra më e mirë dhe më e sukseshme për të përshpejtuar proçeset integruese të të dyja vendeve – theksoi zoti Basha gjatë takimit të zhvilluar në Tirane me kryeministrin Hoti.

Duke risjellë në vëmendje bashkërendimin e sukseshëm gjatë proçesit të pavarësisë së Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, ndërsa theksoi se “është koha për ti vënë në jetë këto përvoja të sukseshme për të mirën e shqiptarëve”.

Lulzim Basha e ka bërë të ditur prej kohësh mbështetjen për autoritetet e Kosovës në proçesin e negociatave Kosovë- Serbi ku ka theksuar se përpos normalizimit të marrdhënieve, produkti i këtyre negociatave duhet të jetë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në respekt të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.