I ka marrë për t’i transportuar drejt Malit të Zi por gjatë rrugës nën kërcënimin e armës një shtetas nga Malësia e Madhe i ka vjedhur 6 shtetas të huaj.

Albion Shabaj, 28 vjeç nga Malësia e Madhe u arrestua nga policia si një prej autorëve të kësaj vjedhjeje me dhunë ndaj shtetasve të huaj.

Policia bën me dije se strukturat e Komisariatit të Policisë në Malësinë e Madhe pas veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e 28 vjeçarit Albion Shabaj, banues në fshatin Aliaj.

Ky shtetas në bashkëpunim me një person tjetër me një automjet në përdorim të tij duke transportuar 6 shtetas të huaj nga vendet e treta me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit,

në lagjen Pepaj të fshatit Hot të Malësisë së Madhe ku nën kërcënimin e armës u kanë marrë disa shtetasëve pakistanezë 780 Euro, 2 aparate celularë, dhe 6 çanta shpine.

Policia në cilësinë e provës materiale ka sekuestruar automjetin me të cilin shtetasi i arrestuar po transportonte 6 të huajt, si dhe po punohet për gjetjen e automjetit tjetër.

Albion Shabaj akuzohet tashmë për “vjedhje me dhunë” dhe “ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”. Nga ana tjetër policia e Shkodrës dhe Malësisë së Madhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj vjedhjeje me dhunë.

Nuk është rasti i parë kur shtetas nga vendet e treta që duan të kalojnë në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Malit të Zi përmes Shkodrës bien pre e vjedhjeve ose në disa raste pasi iu marrin paratë largohen duke i lënë në mes të katër rrugëve.