Komisioni Qendror i Statutit “Dëshmor i Atdheut”, nën drejtimin e ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, ka shpallur major Klodian Tanushin, “Dëshmor i Atdheut”.

Ndërkohë njoftohet se homazhet në nder të “Dëshmorit të Atdheut”, do të zhvillohen në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, nga ora 10:00-12:00.
Më pas, po në mjediset e Muzeut, do të mbahet ceremonia shtetërore në nder major Klodian Tanushit, përpara se arkivoli i mbuluar me flamurin kombëtar të vendoset në shtrat topi dhe të përcillet në Varrezat e Dëshmorëve.

Dita e nesërme, datë 16 maj 2019 është shpallur, ditë zie kombëtare në nder të major Klodian Tanushit i cili ra në krye të detyrës pas shpërthimit të një mine në Letoni. Mina që shpërtheu së bashku me Tanushin i mori jetën edhe nëntetares Zarife Hasanaj.

Në nder të major Tanushit, komandant i kontingjentit shqiptar në Letoni, ditën e enjte, në të gjitha institucionet publike e private, flamuri kombëtar do të ulet në gjysmështizë.