Një sasi prej 33 ton produktesh të skaduara janë bllokuar nga AKU-ja në një subjekt që sipas këtij institucioni, do t’i hidhte në treg.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga trupa inspektuese e AKU-së, rezultoi se subjekti “IN FOOD” shpk kishte 2 ambiente(magazina) në Shkozë dhe Rinas ku ruante produktet me qëllim shpërndarjen në treg.

Konkretisht, në magazinën e parë në Shkozë u konstatuan kushte higjeno-sanitare të papërshtatshëm si dhe 24 ton produkte me afat përdorimi të kaluar të cilat ruheshin në të njëjtin ambient me produktet e rregullta.

Për më tepër në produktet (makarona) të cilat ishin brenda afatit të përdorimit u gjetën prani të insekteve gjë që sjell rrezikshmëri të sigurisë ushqimore

• çokokrem 400 gr X 11313 copë/ sasi 4525 kg
• cokokrem 800 gr X 9839 copë/sasi 7871 kg
• makarona 500 gr X 10203 copë/sasi 5101 kg
• lëng frutash 0.2 l X 25289 copë/sasi 5077 kg
• konfleks 250 gr X 5700 copë/sasi 1435 kg

Ndërsa në magazinën që posedonin në Rinas, u konstatuan 8.8 ton produkte të skaduara.
• Peshk Ton e Markës Perios 1200gr x6858 copë/sasi 8,229 kg
• Biskota Hop Te Embla 1200gr x298copë/sasi 357 kg
• Biskota Hop Te Kripura 1200gr x213 copë/sasi 255kg

Veç të tjerash-sipas AKU-së subjekti “IN FOOD” shpk nuk ka përmbushur detyrimin ligjor sipas nenit 24/1 të ligjit të ushqimit, ku duhej të njoftonte menjëherë AKU-në që këto produkte kishin kaluar afatin e përdorimit.

Për sa më sipër ndaj subjektit është marrë masë administrative gjobë 1.000.000 lekë, bllokim të produkteve me destinacion asgjësim si dhe mbyllje të menjëhershme të aktivitetit.