Tesla ka nisur hetimet pasi një automjet i prodhuar prej saj ka shpërthyer në kohën kur ishte i parkuar. Ngjarja ndodhi në Shanghai.

Videoja e regjistruar nga kamerat e sigurisë dhe e hedhur në internet tregon sesi makina model Sedan në ngjyrë të bardhë përfshihet nga disa shkëndija, e më pas shpërthen në flakë.

Kompania vet nuk konfirmon asgjë pa verifikuar më parë. Ajo sqaroi se ka dërguar menjëherë një ekip në vendngjarje dhe se po i mbështet plotësisht autoritetet në mbledhjen e fakteve.

“Nga sa dimë deri tani, fatmirësisht askush nuk është lënduar”, mësohet të ketë thënë një zëdhënës i Teslës. Por, videoja ka shkaktuar ndërkohë indinjatë në rrjetin social kinez “Weibo”.

“Ata që kanë blerë makina amerikane kërkojnë një shpjegim”, shkruan një përdorues. “Të rrezikohet siguria jonë në një mënyrë të tillë, kjo nuk mund të tolerohet”, vazhdon ai.

Një tjetër përdorues kalon në ironi: Epo një gjë e mësuam nga ky incident. Nga sot e tutje mos parkoni kurrë pranë një makine Tesla.

Që prej vitit 2003 ka pasur plot 14 raste që makinat e kësaj kompanie kanë marrë flakë, por shumica e zjarreve kanë nisur pas një përplasjeje.