Ky helikopter ka shkuar deri në fshatin Lepushë të njësisë Kelmend të bashkisë Malësi e Madhe.

Një 79 vjeçar, shtetasi Dodë Peposhi ka qenë në gjendje të rënduar shëndetësore ndaj është dashur ndërhyrja nga ajri me helikopter për ta sjellë në spitalin rajonal të Shkodrës.

Prania e ngricave në akset rrugore dhe trashësia e borës në segmente të ndryshme nga Lepusha deri në Shkodër e kanë bërë të pamundur transportimin përmes tokës të 79 vjeçarit Dodë Peposhi.

Në këtë mënyrë familjarët duke parë gjendjen shëndetësore të tij kanë kërkuar ndërhyrjen përmes ajrit. Kështu pas komunikimeve është mundësuar nga ministria e mbrojtjes në bashkëpunim me atë të shëndetësisë një helikopter për t’i ardhur në ndihmë këtij shtetasi.

Në këtë mënyrë 79 vjeçari Dodë Peposhi është transportuar nga Lepusha në Malësinë e Madhe drejt spitalit rajonal të Shkodrës. Menjëherë është vënë nën kujdesin e mjekëve.

Pas ekzaminimeve mjekësore Dodë Peposhi ka patur dhimbje të forta barku gjë e cila ka kërkuar një mjekim sa më të shpejtë. Pas dërgimit në spitalin e Shkodrës dhe kujdesit të stafit mjekësor burimet spitalore bëjnë me dije se 79 vjeçari Dodë Peposhi është jashtë rrezikut për jetën dhe se tashmë gjendja e tij shëndetësore është stabilizuar.

Ky është rasti i dytë që për emergjencë shëndetësore bëhet transportimi me helikopter ndërsa në total sa i përket emergjencave në qarkun Shkodër është rasti i katërt, tri prej të cilave janë bërë nga ajri dhe një përmes ambulancës.