Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka publikuar një video sensibilizuese një ditë para se në Shqipëri të hyjë në fuqi urdhëri për mbajtjen me detyrim të maskës në ambiente të hapura apo të mbyllura.

Pavarësisht se shumë qytetarë nuk janë dakord me këtë masë shtërnguese tashmë maska është një detyrim që nga dita e nesërme për të gjithë shqiptarët të cilët do të jenë të detyruar që ta mbajnë. Edhe opozita ka shprehur kundërshtitë e saj jo kundër mbajtjes së maskës por për faktin se duhet të jetë qeveria e cila duhet të sigurojë maskat mbrojtëse për qytetarët, sidomos atë shtresë që nuk kanë mundësi t’i blejnë maskat.

Manastirliu thotë se maska duhet bërë zakon i përditshëm dhe askush s’duhet ta harrojë kur del nga shtëpia. Po ashtu Manastirliu thekson se me mbajtjen e maskës nuk i jepet mundësi virusit të rrezikshëm të përhapet dhe të dëmtojë shëndetin e njerëzve.

“Bëjeni maskën zakon të përditshëm për të mos i dhënë mundësi virusit të rrezikshëm të përhapet e të bëjë dëm në shëndetin tuaj dhe të njerëzve që keni për zemër. Është koha për solidaritet, për të mbrojtur më të dobtit. Mos e harroni maskën kur dilni nga shtëpia! Me kujdes çdo ditë, e mundim koronavirusin!”, shkruan ministrja e cila ka publikuar edhe videon me këshillat përkatëse.