“Pas laboratorit të referencës në Institutin e Shëndetit Publik, testimet molekulare për identifikimin e SARS COV2 do të kryhen edhe në QSUT”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi sot laboratorin e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku deklaroi se po forcohen kapacitetet për kryerjen e testeve Real Time PCR.

“Me hapjen e këtij laboratori të dytë, krijojmë baza të mira për të rritur dhe për të zhvilluar testimin, i cili në fakt do të vijojë të ketë një objektiv kyç: gjurmimin e rasteve dhe izolimin e tyre. Sepse ne për asnjë moment nuk e kemi humbur vëmendjen nga qëllimi primar i testimit. i cili është pikërisht gjurmimi, izolimi dhe mundësia e kufizimit dhe e ndërprerjes së zinxhirit të infeksionit. Ky laborator i çertifikuar, siç e premtuam, do të rrisë kapacitetet e testimit dhe për t’iu përgjigjur strategjisë së testimit të realizuar me ekspertizën e Komitetit Teknik të Ekspertëve”, tha Manastirliu.

Duke folur për kapacitetet e testimit, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se synohet cilësi në këtë proces.
“Aktualisht në laboratorin e Institutit të Shëndetit Publik, që është një laborator reference, kapacitetet e testimit janë nga 500-1 mijë testime ditore dhe me hapjen e këtij laboratori për pacientët e spitaleve COVID, vijojmë rrisim kapacitetet, por rëndësi ka cilësia e testimit, ndaj dhe ky laborator është i biosigurisë 2, i çertifikuar nga OBSH”, tha Manastirliu.

Shefi i Shërbimit të Laboratorit të Mikrobiologjisë në QSUT, prof. Andi Koraqi, tha se çdo gjë është gati për të nisur punën për testimin e pacientëve të spitaleve COVID.

“Laboratori është i çertifikuar dhe tashmë jemi gati për të nisur punën më pacientët e spitaleve COVID të Tiranës”, tha Koraqi.

Drejtuesja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, prof. Silva Bino tha se ky laborator i plotëson të gjitha kushtet e biosigurisë dhe do të jetë një ndihmë e madhe për luftën ndaj SARS COV2.

Laboratori i Mikrobiologjisë në QSUT do të vijojë edhe testimet serologjike për stafet mjekësore, pas Tiranës, edhe për stafet në spitalet rajonale. Aktualisht përqindja e pozitivitetit është nën 5.5%.