Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka dhënë një sqarim ligjor në lidhje me debatin për presidentin e zgjedhur Ilir Meta.

Në një status në FB, Manjani është shprehur se ideja për të penguar Ilir Metën për t’u betuar si President i Republikës nga socialistët me mos pjesëmarrje në Kuvend, nuk gjen aspak terren kushtetues.

Postimi i Ylli Manjani në FB

Një sqarim ligjor për Presidentin. Në korridoret e politikës dhe nëpër media qarkullon ideja se: PS e inatosur me Ilir Metën, nuk do paraqitet në Kuvend për të lejuar Presidentin të betohet. Kjo ide nuk ka fare terren kushtetues as as ligjor. Thjesht duket si tym politik post fushatë! Megjithatë po rendis disa fakte që sqarojnë situatën nga pikpamja kushtetuese:

1. Ilir Meta është zgjedhur President rregullisht sipas kërkesave të nenit 87 të Kushtetutës. Zgjedhja e tij është bërë rregullisht sipas procedurave të Kuvendit dhe me shumicë legjitime deputetësh. Shumicë kjo e ngjizur edhe me vendime politike.

2. Nga çasti i zgjedhjes, Presidenti i Republikës merret në mbrojtje kushtetuese. Por sipas nenit 88.3 të Kushtetutës Ai fillon të ushtrojë detyrën e Presidentit vetëm pasi Betohet para Kuvendit. Betimi behet vetëm kur mbaron mandati i Presidentit ne detyrë.

3. Presidenti në detyrë Bujar Nishani qëndron në detyrë deri më datë 24 Korrik 2017. Pra kjo është data kur Presidenti i Zgjedhur (Meta) duhet të betohet në Kuvend për të filluar detyrën.

4. Kuvendi ndërkohë është i shpërndarë. Për më tepër që është zgjedhur (thuajse) Kuvendi i ri. Neni 65.1 e Kushtetutës na sqaron se Kuvendi ekzistues qëndron në detyrë, edhe pse është i shpërndarë, deri në mbledhjen e parë të Kuvendit të ri.

5. Kuvendi i ri mblidhet me 9 ose 10 shtator 2017. Pra deri atëherë kuvendi me deputetët aktualë, jo këto të zgjedhurit tani, mblidhet sipas nevojës edhe në seancë të jashtëzakonshme, sipas nenit 74.2 dhe 74.3 e Kushtetutës.

6. Pas datës 10 Korrik, Kuvendi i mbledhur në seancë të jashtëzakonshme nuk mund të miratojë ligje (neni 65.4 e kushtetutës). Pra qartësisht veprime të tjera siç është eshe betimi i Presidentit të ri, lejohet ta bëje. Betimi është vetëm një moment formal.

Këto janë momentet Kushtetuese që e bëjnë rotacionin në Krye të shtetit. Të tjerat, ato që përfliten të paktën nuk janë normalja, por anormalja! Pyetja është cfarë ndodh nëse Kuvendi nuk i ka 71 deputetë prezentë për të lejuar betimin e presidentit? Për t’u përgjigjur kësaj pyetje duhet të kemi në konsideratë se:

1. Mos berja e betimit se Kuvendi nuk mblidhet, nuk e shkarkon nga detyra Presidentin e zgjedhur. Refuzimi për të bërë betimin çon në mbarimin e detyrës, por jo mos mbledhja e Kuvendit.

2. Presidenca nuk mbetet bosh, presidenti në detyrë vijon detyrën deri sa të betohet i riu.

3. Kuvendi është i detyruar, herët a vonë, të lejojë betimin e Presidentit. Praktikë e Gjykatës Kushtetuese kjo.

4. Kuvendi mund ta shkarkojë Presidentin ( edhe ate të zgjedhur që nuk është betuar) vetëm nëse Ai (Presidenti) shkel rëndë Kushtetutën dhe; kryen një krim të rëndë. Vetëm për këto arësye, e jo se nuk më pëlqen apo se “u bëra pishman”…

5. Presidenti shkarkohet nga 93 vota deputetësh, kur provohet njeri nga kushtet. Vendimi i Kuvendit gjykohet në gjykatën Kushtetuese. Pra vetëm kështu shkarkohet Presidenti. Edhe Ai i zgjedhuri. Nisur nga ky sqarim, besoj është e qartë se është kot gerdufja politike se nuk e duam Metën President. Eshtë diskutim dhe përpjepje e kotë dhe e panevojshme!

Artikulli paraprakPARLAMENTI SERB VOTOI KRYEMINISTREN E PARË NGA KOMUNITETI LGBT
Artikulli tjetërSHPËRTHEN PATOZI: BASHA ËSHTË SËMUNDJE PËR PD