Maqedoni, Talat Xhaferi zgjidhet kryeparlamentar me votat e shumicës

Maqedonia ka më në fund një kryetar të ri të Parlamentit. Ai është Talat Xhaferi dhe është zgjedhur me votat e shumicës së re parlamentare, të përbërë nga LSDM-ja e Zoran Zaevit, BDI-ja e Ali Ahmetit dhe “Aleanca për shqiptarët”. “Të nderuar deputetë, për herë të parë në të tilla kushte zgjidhet kryetari i Kuvendit. Ju premtoj se do të jem kryetar i Kuvendit e do të punoj në bazë të Kushtetutës. Unë nuk do të lejoj uzurpim të Kuvendit. Ju falënderoj për nderin dhe besimin që patët ndaj meje”, tha Talat Xhaferi, kryeparlamentar. I pari që i ka uruar detyrën e re ka qenë vet kreu i LSDM-së, Zoran Zaev. Ndërkohë, deputetët e VMRO-DPMNE-së bllokuan udhëheqësin e seancës konstituive, Trajko Veljanovski, i cili mbylli diskutimin në orën 18 dhe caktoi vazhdimin e seancës ditën e premte në orën 1 Por shumica e re parlamentare nuk u largua nga salla e Kuvendit, duke i kërkuar Veljanovskit të vendosë në votim propozimin për kryetar të Kuvendit. Edhe pse deputetët e VMRO-së rrethuan ish-kreun e Parlamentit, ata të LSDM-së bërtisnin në kor “Trajko, duhet të shkosh në shtëpi”. Një pjesë e deputetëve i kërkuan deputetit më të vjetër të sallës, Branko Manjalovski që të ulej në vendin e Veljanovskit. Në sallë ishte i pranishëm Zaev, por jo Gruevski dhe Ahmeti. Menjëherë pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, protestuesit e VMRO-DPMNE-së kanë hyrë në Kuvend, ndërsa protesta antishqiptare kanë shpërthyer edhe jashtë ndërtesës së Parlamentit.

Artikulli paraprakLU: ZGJEDHJET PA OPOZITËN MUND TË KONSIDEROHEN TË LIGJSHME DHE LEGJITIME
Artikulli tjetërINCIDENTET NË NDESHJEN ME ITALINË ,FIFA GJOBË 100 MIJË FRANGA SHQIPËRISË