Marrëdhëniet Shqipëri-Maqedoni Meta:Shqiptarët urë bashkëpunimi

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti sot Zv. Kryeministrin e Republikës së Maqedonisë Festim Halili, i cili shoqërohej prej Ministres së Vetëqeverisjes Lokale Shiret Elezi ku ka theksuar se shqiptarët e Maqedonisë janë një urë bashkëpunimi e miqësie mes dy vendeve. “Shqipëria i sheh me interes të veçantë marrëdhëniet me Maqedoninë, jo vetëm si vend fqinj, por edhe falë faktorit shqiptar i cili është një urë solide bashkëpunimi dhe miqësie mes dy vendeve tona”. Në këtë drejtim u vlerësua rëndësia e daljes nga kriza politike përmes zgjedhjeve të përgjithshme të 11 dhjetorit të cilat do të përshpejtonin edhe proceset integruese të vendit. Meta u uroi suksese Halili dhe Elezi në punën e tyre dhe vuri në dukje se zgjidhja sa më e shpejtë e ngërçit politik në vendin fqinj është në interes të Shqipërisë e cila është e interesuar të avancojë bashkërisht me Maqedoninë për projektet afatgjatë të ndërlidhjes rajonale. Në këtë kuadër u theksua se stabiliteti politik i Maqedonisë i shërben cilësisë së jetesës së shqiptarëve në vendin fqinj, të cilët kanë dhënë një kontribut mjaft pozitiv në avancimin euro-atlantik të Maqedonisë. Zv.Kryeministri i Maqedonisë Festim Halili vlerësoi mbështetjen e Kuvendit të Shqipërisë dhe të Kryetarit Meta në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të gjithanshëm mes dy vendeve fqinje dhe nënvizoi se zhvillimi i projekteve infrastrukturore si Korridori 8 janë vendimtare për të ardhmen e të dy vendeve.

Artikulli paraprakI HYJNE NE SHTEPI,SHPEND AHMETI GRINDET ME GRATE E PASTREHA
Artikulli tjetërMANJANI FIRMOS MEMORANDUM PER PJESMARRJE NE PROGRAMET E BE