Marrëveshje për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal, I pranishem dhe Nishani

Në Slloveni u zhvillua takimi i vendeve të Procesit të Brdo-Brijunit. Presidentëve të Sllovenisë, Kroacisë, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bosnjes, iu bashkua edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmayer. Liderët e Procesit të Brdo-Brijunit, me konsensus të plotë miratuan konkluzionet e Samitit. Ata angazhohen per forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit rajonal dhe shmangien e retorikave nacionaliste. Gjithashtu kërkohet nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare që të vlerësojnë kuadrin aktual të aderimit në Union dhe të japin një perspektivë të qartë të anëtarësimit të Ballkanit. Presidenti Bujar Nishani tha se shqiptarët janë vendosmërisht të orientuar drejt BE-së dhe e shikojnë atë si destinacionin e natyrshëm. Por, tha Nishani, ne presim që edhe BE të vazhdojë ta shohë Shqipërinë si një anëtare potenciale të natyrshme për t’iu bashkuar familjes europiane. Sipas presidentit shqiptar, Ballkani Perëndimor duhet të qëndrojë lart në agjendën e BE-së, veçanërisht sa i përket angazhimit politik, ekonomik dhe social. Nishani theksoi se vetem orientimi drejt BE-se dhe NATO-s dhe reformat e thella të brendshme do të mund ta shkëpusë rajonin e Ballkanit nga e kaluara konfliktuale, për ta çliruar atë nga metafora e “fuçisë së barutit”.