Gjykata e Apelit për Krime të Rënda la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për italianin Salvadore Letizia dhe 27 vite për Markelian Doçin e 20 vite për Klevi Doçin.

Ata u akuzuan për vrasjen e trefishtë që ndodhi më 27 maj 2015 dhe nga përplasja me armë mbetën të vrarë Mentor Lufi (Doçi), Gerti Goxhaj dhe Besnik Sulku.

Apeli la sot në fuqi vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Vrasja- Pasditen e datës 27 Maj 2015, Mentor Lufi, dy nipat e tij Markeljan e Klevi Doçi, si edhe miku i tyre, Gerti Goxhaj, gjendeshin në një lokal pranë Fakultetit të Shkencave, në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë.

Pasi janë ngritur nga lokali, ata kanë hipur në dy mjete dhe konkretisht: Mentor Lufi ishte pasagjer në mjetin e drejtuar nga Gerti Goxhaj; ndërsa vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi gjendeshin në një automjet pas të parit, ku në timon ishte Markeljani.

Sapo kanë hipur në automjete, në dy pjesët anësore të makinës së parë, janë afruar dy persona të armatosur, të cilët kanë qëlluar personat që gjendeshin në bordin e saj, konkretisht Mentor Lufin (Doçi) dhe Gert Goxhaj.

Nga goditjet me armë ka vdekur në vend Goxhaj dhe është plagosur rëndë Lufi, i cili vdiq pak çaste më vonë.

Në momentin e goditjes me armë, Markeljan Doçi afron me shpejtësi makinën drejt atentatorëve, duke përplasur fillimisht njërin prej tyre.

Ky i fundit, i cili më pas rezultoi se ishte Besnik Sulku, ka qëlluar me pistoletë në drejtim të mjetit të dytë, por pa u shkaktuar dëme tek vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi.

Të gjendur nën goditjen e armës tip pistoletë nga ana e Besnik Sulkut, Markeljani, gjithashtu i armatosur me pistoletë, ka reaguar duke qëlluar me armë.

Markeljani dhe Sulku kanë vijuar të qëllojnë njëri-tjetrin, derisa Besnik Sulku ka mbetur i vdekur, pak metra larg nga automjetet. Menjëherë pas ngjarjes, forcat e Policisë organizuan operacionin për arrestimin e personave të përfshirë.

Fillimisht, në vendngjarje u arrestuan vëllezërit Markeljan dhe Klevi Doçi. Më vonë, pranë një hoteli në atë zonë, u arrestua edhe shtetasi italian, Salvatore Letizia, i cili rezulton se është personi që, së bashku me Besnik Sulkun, ishte pjesë e vrasjes së shtetasve Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj.

Artikulli paraprakDOM NIKË UKGJINI: VARRET MONUMENTALE JANË HARRUAR
Artikulli tjetërNË GJYKATËN E KRIMEVE TË RËNDA NIS GJYQI PËR GRUPIN E HABILJAVE