Gjykata e Tiranës ka liruar në masën “arrest shtëpie” menaxherin e kompanisë Gulf, Albano Aliko, i cili po hetohet për mashtrim me pasoja të rënda.

Aliko u arrestua nga policia 3 ditë me parë por më pas u lirua nga gjykata e Tiranës. Sipas hetimeve, dëmi i shkaktuar qytetarëve dhe shtetit nga mashtrimi me tollonat e naftës kap vlerën e 5 milion eurove.

Menaxheri kryesor i kompanisë Gulf është prangosur nga policia dhe më pas është liruar në gjykatë pasi ka qenë në kërkim që nga muaji prill i këtij viti, me akuzën për mashtrim me pasoja të rënda.

Arrestimi i tij ka ndodhur të hënën por izolimi në paraburgim për biznesmenin Alikon ka zgjatur vetëm 48 orë.

Të mërkurën Gjykata e Tiranës nga “arrest me burg” ka ndryshuar masën e sigurisë, duke liruar 49 vjeçarin i cili është lënë lënë në masën në “arrest shtëpie”.

Vendimi është dhënë nga gjyqtari, Arben Mickaj, i cili disa muaj parë me kërkesë të prokurorisë kishte dhënë vendimin e “arrestit me burg” në mungesë.

Skema mashtruese e ndërtuar nga drejtuesit e Gulf në Shqipëri, u shkaktoi një dëm të madh shumë personave por edhe vetë shtetit që kapte vlerën e afro 5 milion eurove.
Në prill, pikat e karburantit të kompanisë Gulf në Shqipëri u mbyllën befas në mes të natës dhe gjithë drejtuesit e saj u zhdukën.

Me mijëra qytetarë mbetën me tollonat e karburantit në dorë, të cilat i kishin blerë, furnitorët u lanë pa paguar dhe u dëmtuan edhe bankat.

Falimenti brenda ditës u hetua si mashtrim, ndërsa dëmi i shkaktuar llogaritet në mbi 5 milionë euro.

Pas denoncimit të ngjarjes, disa persona u vunë nën hetim si zbatues të skemës së mashtrimit ndërsa sipas policisë, kryesori ishte Albano Aliko, menaxheri kryesor i kompanisë që shiti tollonat e më pas la qytetarët pa mallin për të cilin kishin paguar.