Pesë të arrestuarit në Nikël në kuadër të operacionit Forca e Ligjit mbërritën në Gjykatën e Krujës nën masa të rrepta sigurie të shoqëruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë!

Pas një seancë të gjatë, gjykata vendosi të mbajë në arrest me burg 4 prej tyre, ndërsa të pestin e dërgoi në arrest shtëpie.

Në qeli mbetën Marklen Haka, Ylli Çangu, Skënder Leza dhe Valter Bamin, ndërsa për Lutfi Hakën gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

I pari që doli para gjyqtares Enkelejda Hoxha ishte 42 vjecari Ylli Çangu. Për të 4 të tjerët prokurori Petrit Çano kishte kërkuar që të mbahen në burg.

Ndërtesa e Gjykatës ishte e rrethuar nga Forcat e Speciale të armatosur e të maskuar për të shmangur cdo situatë që mund të krijohej me familjarët që qëdronin jashtë oborrit.

5 të arrestuarit akuzohen për armëmbajtje pa leje dhe pastrim të produkteve të veprës penale pasi gjatë aksionit të Forcave Speciale në NIkël në banesat e tyre u sekuestruan armë, municione, para e sende të tjera të ndaluara.

Ilir Murati, avokati mbrojtës i Valter Bamit e quajti në shkelje arrestimin, ndërsa theksoi se shpata që iu kap në banesë klientit të tij nuk ishte armë e ftohtë por sipas tij përdoret për punët në bujqësi!

Por ky pretendim nuk u mor parasysh nga gjykata që e la në burg, 32 vjecarin që rezulton vëllai i Durim Bamit.