Nga janari në gusht, mbi 1 milion vizitorë nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri. Turizmi patriotik nga Kosova, trojet shqipfolëse dhe emigrantët ia kanë dalë që të sigurojnë të paktën mbijetesën për sektorin këtë verë. Polakët pritet të vazhdojnë me chartera deri në fund të shtatorit, nëse qeveria e tyre nuk e përfshin Shqipërinë në listën e vendeve të ndaluara.

Nga kontratat me garanci, ata kanë shfrytëzuar vetëm 25%, pjesa tjetër shtyhet në vitin 2021. Shpresat për nordikët në bregdetin shqiptar tashmë janë shuar. Vendasit kanë zgjedhur plazhet shqiptare, ku kapaciteti mesatar i plotësuar në struktura ishte maksimumi deri në 60%.

Piku i sezonit këtë vit ka zgjatur vetëm 10 ditë. Skema e kuponëve lidhur me rezervimet në agjenci po funksionon vetëm me Turqinë. Familje të tëra nga Kosova apo të rinj në grupe shoqërore mund të hasje pafund këtë verë në çdo skaj, nga Velipoja në Sarandë. Ishte ky një reflektim se turizmi këtë sezon, edhe pse nuk mund të ketë shënuar fitime, të paktën ka shpresa të mbahet në këmbë e bashkë me të, edhe dhjetëra mijë të punësuar. Ky sektor, i cili prej vitesh po mbështeste rritjen te numri i vizitorëve nga vende të ndryshme europiane, por jo vetëm, këtë vit u gjend në një situatë dramatike, për shkak të pandemisë. Shpëtimi u pa tek nxitja e turizmit vendas, ata nga trojet shqipfolëse dhe emigrantët.

Në fillim u duk e vështirë, por turizmi patriotik duket se ia doli. Ashtu sikurse tregojnë shifrat zyrtare deri në korrik, ndikimi pozitiv pranohet edhe nga tur-operatorët kryesorë. Në janar-gusht, numri i vizitorëve nga Kosova ishte mbi 1 milion, sipas burimeve nga Dogana e Kosovës. Për 7 mujorin, shifra totale e hyrjeve nga Kosova është 52% më e ulët se një vit më parë.

Por, sërish mbetet një shifër pozitive, po të kemi parasysh frikën e pandemisë, e cila në të dyja vendet po regjistron shifra në rritje të të prekurve aktivë, por edhe humbje jete. Zakonisht, periudha nga 15 korriku e deri në fund të gushtit, është cilësuar si piku i sezonit turistik. Por këtë vit, piku është regjistruar për vetëm 10 ditë, kur strukturat akomoduese kanë arritur të plotësojnë mesatarisht 90% të kapacitetit. Me raste të veçanta, plotësimi shkon edhe në 100%, por kjo këtë vit ka ndodhur rrallë.