Në shtatë mujorin e parë të këtij viti, janë arrestuar 231 persona të moshës së mitur, të cilët janë kapur duke abuzuar me substanca narkotike.

 

Sipas policisë, për këtë periudhë kohore janë arrestuar gjithsej1200 persona, për të njëjtën vepër penale.

 

Në Kosovë llogaritet se janë rreth 25 mijë përdorues të substancave narkotike. Rreth pesë mijë prej tyre, konsiderohet se janë përdorues aktivë të narkotikëve të ndryshëm.

 

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpjegoi se sipas rasteve të regjistruara në polici, mosha e personave që më së shumti konsumojnë droga të ndryshme është nga 21 deri në 35 vjeç.

 

“Nga të dhënat që posedon Policia e Kosovës, numri i konsumuesve të drogave dallon varësisht prej llojit. Numri i konsumuesve të heroinës ka rënë dukshëm, e po ashtu edhe numri i rasteve të heroinës dhe qarkullimi i heroinës nëpër Kosovë në përgjithësi, ndërsa numri i konsumuesve të mariuhanës është në rritje”, tha Hoxha.

 

Hoxha shtoi se për parandalimin e kultivimit të drogave, policia ka realizuar patrullime me helikopterë në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, kontrollin e lokacioneve të dyshuara me dronë, si dhe ka marr informata nga qytetarët.

 

“Kultivimi nuk është shumë i theksuar në Kosovë. Mbjellja bëhet kryesisht nga përdoruesit për përdorim personal në sasi të vogla, me ndonjë rast ku është tentuar të kultivohet në sasi më të madhe, por ekzistojnë edhe vende ku kanabisi mbin vetvetiu (bimë të egra), vende të cilat policia i ka identifikuar dhe bimët janë shkatërruar në fazën e hershme”, e përmbylli Hoxha.

Artikulli paraprakMËSO SI TË JESH I LUMTUR
Artikulli tjetër“NUK E DIJA QË MUND TË ISHTE KAQ MIZOR”