Prej orës 10:00 ka nisur mbledhja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në rendin e ditës janë disa çështje, mes tyre plotësimi i vendeve vakante në Prokurorinë e Posaçme kundër korrupsionit. Deri tani për t’u bërë pjesë e SPAK-ut kanë aplikuar vetëm dy prokurorë, Klodian Braho dhe Besnik Muçi.

Kryetari KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se në procedurën e aplikimit janë bërë disa lehtësi për prokurorët, ndërsa përsëriti thirrjen që të bëhen pjesë e këtij institucioni që do të luftojë korrupsionin dhe krimin.

“U çelën procedurat për plotësimin e 15 vendeve vakante për SPAK, deri tani kemi dy kandidime. Këshilli vendosi që të bënte një lehtësim të dokumentacionit, përmes një emaili që u është dërguar të gjithë prokurorëve.

U lehtësua ndjeshëm lista e dokumenteve. Shpresojmë që ky lehtësim të jetë inkurajues, u bëj thirrje të gjithë prokurorëve që mos e humbni këtë mundësi që u vjen njëherë në jetë” tha Gent Ibrahimi.

Më pas filloi diskutimi për rendin e ditës. Gent Ibrahimi theksoi se “kemi marrë informacione nga disa institucione për 6 kandidatët magjistratë që do të emërohen prokurorë.

Vlerësimin e prokurorëve për efekt vettingu tashmë nuk do ta bëjë më prokuroria e përgjithshme por tashme do ta bëjë KLP”. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pas diskutimeve për strukturën dhe buxhetin vendosi që të komandojë gjashtë prokurorë.

Për nënkryetarin e institucionit Balla kjo shtesë është e nevojshme sepse kufizimi do të sillte pasoja në uljen e ritmit të shqyrtimit të prokurorëve. Kostaq Beluri u shpreh se “Problem mbetet vakumi që do të sjellë heqja e këtyre prokurorëve nga Prokuroria e Përgjithshme”.

Por Gent Osmani, theksoi se “Afati 1 vjeçar është i mjaftueshëm për të parë nivelin e nevojës për shtim në strukturë për shkak të vettingut”.

Një tjetër çështje që u diskutua në mbledhje ishte edhe rasti i transferimit të prokurorëve që sollën ngërçin e dosjes së Shullazit. Anëtarja e KLP-së, Antoneta Sevdari u shpreh se “Kryeprokurorja Arta Marku ka Apeluar vendimin për rikthimin në detyrë të Besim Hajdarmatajt dhe Olsian Çelës.

Duhet të ndërpriten transferimet e përkohshme të prokurorëve Hajdarmataj e Çela dhe të rikthehen në detyre ku kanë qenë tek krimet e rënda”. Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLP ka vlerësuar se dy prokurorët duhet të kthehen në pozicionet e mëparshme.

Por Nurihan Seiti mendon ndryshe. “Ne duhet të presim vendimin e Gjykatës së Apelit para se të vendosim për këta dy prokurorë. Në të kundërt do na kthehet në precedent të rrezikshëm.

Këta dy prokurorë le të aplikojnë për SPAK-un për prokuror të Përgjithshëm për cfarë të duan. Nuk pengohen. Nuk ka një vendim të formës së prerë dhe nuk mund të ndërhyjmë ne”.

Ndërsa anëtari tjetër i KLP-së, Tartar Bazaj tha se nuk mund të jepet asnjë vendim për këtë çështje pa mbaruar gjyqi. “Nuk mund të japim vendim pa mbaruar gjyqi. Në të kundërt do të hyjmë në ngërç kushtetues.

Ne nuk mund te marrim kompetenca gjykatash”. I të njëjtit mendim ishte edhe Bujar Sheshi. “Ne nuk kemi marrë përsipër të zëvendësojmë gjykatën e Apelit. Ishin me afat 3 muaj, afati mbaroi. Tani cdo bejme?”.

Ndërkohë që po vijon diskutimi për strukturën dhe buxhetin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, anëtari Bujar Sheshi propozoi shtimin e një pike tjetër në rendin e ditës, caktimin e një prokurori tek Apeli tek Krimet e Renda.

Artikulli paraprakU DËNUAN ME 55 VITE BURG, KËRKESA E AVOKATIT SHTYN SEANCËN E PARË NË APEL PËR GRUPIN E SHULLAZIT
Artikulli tjetërDËNOHET PËR SHPIFJE LULZIM BASHA, BALLA: VENDIM HISTORIK!