Mbyllet bojkoti i arbitrave. Pas 5 ditësh bojkot nesër do të rifillojë që të luhet futboll në Shqipëri.

Federata Shqiptare e Futbollit pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv ka vendosur që nesër të zhvillohen normalisht ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

Arbitrat bojkotuan ndeshjet e futbollit pas dhunës në sfidën mes Kamzës dhe Laçit, ku u godit gjyqtari Eldorian Hamiti.

Shoqata e Arbitrave kërkoi rikthimin e Policisë së Shtetit në stadiume, por në bazë të ligjit të ndryshuar në 2017, është ekipi organizator që kontrakton policinë private që garanton sigurinë gjatë ndeshjeve.

Pas përplasjeve me deklarata në distancë mes Policisë së Shtetit dhe FSHF-së, sot u zhvillua një takimme kryeministrit Rama dhe disa ministrave me drejtuesit e federatës dhe përfaqësues të klubeve.

Kryeministri Rama bëri disa propozime konkrete për ndryshime në Kodin penal në mënyrë që në stadiumet shqiptare të mos ketë në dhunë.

Kryeministri propozoi që cdo tifoz që kalon rrethimin e stadiumit dhe futet në fushë të dënohet me 3 vite burgim dhe të përjashtohet përjetë nga stadiumet.