Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur që të mbyll ekspozitën ndërkombëtare “Onufri”.

Si rrallëherë, kjo traditë që zhvillohet prej më shumë se dydekadash nuk do të bëhet më. Për këtë edicion të 24-tërt disa nga artistët më në zë të arteve pamore i bën apel kryeministrit Edi Rama, ministres së Kulturës, Mirela Kumbaro dhe drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli.

Por, zëri i tyre nuk u dëgjua as kësaj here. Në një njoftim të vonuar për mediet, Galeria e Arteve shkruan vendimin e 7 anëtarëve të bordit në këtë institucion, se:

Në kuadër të dinamikave në të cilat zhvillohen shkëmbimet artistiko-kulturore ndërkombëtare sot, dhe si pasojë e problematikave që janë shfaqur ndër vite me Ekspozitën Ndërkombëtare të Arteve Pamore “Onufri”,

aktivitet ky që ka patur mision primar realizimin e këtij shkëmbimi në Shqipëri, Galeria Kombëtare e Arteve ka vendosur në mbylljen e “Onufrit” dhe rikonceptimin e programit të saj të përgjithshëm artistik.

“Onufri” u krijua në fund të viteve ‘90-të si një domosdoshmëri e kohës, që do të mundësonte shkëmbimet mes artistëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë, si dhe për të prezantuar artin e ri bashkëkohor të skenës vendase në kushtet e mungesës së plotë të institucioneve apo iniciativave të pavarura.

Për këtë arsye,për vite me radhë “Onufri” mbajti peshën kryesore të shkëmbimit kulturor ndërkombëtar në artet pamore, duke i dhënë kështu një shtysë edhe metodave të reja të punës dhe praktikave artistike.

Me kalimin e viteve skena është pasuruar edhe me një numër në rritje iniciativash të pavarura që gjithmonë e më shumë kanë për qëllim shkëmbimin mes artistëve vendas dhe atyre ndërkombëtarë.

Nga ana tjetër, shumë edicione të “Onufrit” nuk kanë pasur nivelin e duhur të organizimit për t’i prezantuar denjësisht artistët.

Bashkëveprimi midis artistëve shqiptarë dhe të huaj në kuadër të këtyre edicioneve ka qenë pothuajse fiktiv, pasi shumë nga artistët e huaj pjesëmarrës të “Onufrit” nuk kanë qenë të pranishëm gjatë ditëve të organizimit të ekspozitës.

Gjithashtu, në të shumtat e rasteve është aplikuar një qasje e padrejtë ndaj artistëve shqiptarë të cilët duhet të kalonin fazën e përzgjedhjes, kundrejt artistëve të huaj që ftoheshin direkt nga kuratori.

Për rrjedhojë edhe interesi i publikut ndaj kësaj ekspozite si dhe vet vlera e këtij aktiviteti janë zbehur me kohë.

Ky aktivitet që fillimisht lindi si një nevojë për të rritur ndërveprimin mes skenës vendase dhe asaj ndërkombëtare vlerësohet se tashmë e ka përmbushur misionin e tij.

Zhvillimi i situatës artistike në vendin tonë, por edhe zhvillimet më të fundit të artit bashkëkohor në përgjithësi, nuk përkojnë më me formën e organizimit dhe strukturën që “Onufri” ka ndjekur gjatë viteve.

Anëtarët e Bordit Artistik dhe drejtori i GKA-së z. Erzen Shkololli ndajnë mendimin se GKA ka nevojë për një formatim dhe një qasje të re pune që do të jetë në hap me zhvillimet e reja në artin bashkëkohor dhe që reflektojnë ndryshimet thelbësore socio-politike në Shqipëri, rajon e më gjerë.

GKA duhet të zhvillojë veprimtaritë e saj të radhës të cilat prezantojnë sa më mirë artistët në ekspozita ndërkombëtare tematike e të kuruara, dhe që vijnë si rezultat i një pune të pasur kërkimore. Ky rikonceptim i programit artistik synon që ta kthejë Galerinë në një platformë të rëndësishme për shkëmbimin kulturor në nivel ndërkombëtar.

Bordi Artistik i Galerisë Kombëtare të Arteve përbëhet nga 7 anëtarë, si më poshtë vijon: Eleni Laperi (Kryetare), Edi Muka, Ornela Vorpsi, Zef Paci, Luçjan Bedeni, Sofjan Jaupaj, Xhoana Agolli. Anëtarët e këtij Bordi ranë dakord për mbylljen e “Onufrit” gjatë mbledhjes së tyre më datë 11.12.2018, me Vendim nr. 308/2.

Ministria e Kulturës shprehu dakordësinë e saj mbi këtë vendim, në respektim të pavarësisë së gjykimit të Bordit Artistik të Galerisë Kombëtare e Arteve.

PUBLICITET