Komisioneri Publik ka ankimuar sot pranë Kolegjit të Posacëm të Apelimit, vendimin e KPK-së për konfirmimin në detyrë të prokurores së Tiranës, Antoneta Sevdari.

Prokurorja pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Antoneta Sevdari është kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ajo u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 18 korrik 2018. Trupa gjyqësore e përbërë nga Firdes Shuli, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia,

vendosi që Sevdari ta kalonte Vetting-un, pasi sipas hetimeve të kryera nga KPK-së, prokurorja e Tiranës nuk kishte kryer fshehje pasurie, ishte e aftë profesionalisht dhe nuk ka patur kontakte me njerëz të papërshtatshëm, 3 shtyllat këto, mbi të cilat bazohet filtri i Vettingut.

Por duket se ka qenë mbyllja e një dosjeje, ajo që ka “penalizuar” Sevdarin. Bëhet fjalë për një vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, për pushimin e çështjes ndaj të pandehurit G. D, ish-kryetar komune, i akuzuar për fshehje pasurie dhe deklarim të rremë, për të cilin Sevdari nuk e ankimoi vendimin. Ndërsa në njoftimin e Komisionerit Publik thuhet se hetimi për Sevdarin nuk ka qenë i plotë.

Njoftimi i ankimimit të Komisionerit Publik:

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 42, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, kandidate për anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Bazuar në përmbajtjen e pikës 3, të nenit F, të aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Komisioneri Publik nëpërmjet këtij ankimi kërkon nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që këto mangësi të hetimit administrativ të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit të mund të riparohen nga Kolegji gjatë shqyrtimit të çështjes në seancë gjyqësore.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni:www.ikp.al
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

Artikulli paraprakRAMA BASHKËBISEDIM ME SIPËRMARRËSIT E TURIZMIT,SEZONI ME I MIRE QE KEMI PATUR
Artikulli tjetërGODITI ME GRUSHT NË SY 64-VJEÇARIN, ARRESTOHET I RIU, POLICIA I GJEN KANABIS GJATË KONTROLLIT