Mediat serbe raportojnë se mafia shqiptare ka pastruar më shumë se 1.5 miliardë euro në tregun e pasurive të patundshme në shtetin e Serbisë.

Ato shkruajnë se ky pastrim parash është kryer përgjatë një dekade dhe kjo e gjitha me ndihmën e biznesmenëve vendas, të cilët kanë influencë në sektorët të ndryshëm.

Media shtetërore serbe “B92” duke cituar “Kurir” shkruan se: “Mafia shqiptare në këtë mënyrë “u bë ndoshta lojtari më i madh me një skemë të pastrimit të parave të përftuara përmes krimit, kryesisht drogës dhe trafikimit të armëve”.

Ish-drejtori i policisë së Beogradit, Marko Nikoviç u shpreh se mafiozët shqiptarë pastrojnë nga 80- 100 milionë euro në vit duke blerë toka për ndërtim, investime në pasuri të paluajtshme dhe në fushën e ndërtimit. Kjo veprimtari sipas tyre është ndihmuar nga biznesmenë serbë.

“Në këto transaksione, si rregull, shqiptarët nuk shfaqen në publik asnjëherë. Kjo funksionon me anë të personave të tjerë”, theksoi ai.

Ai thotë se shqiptarët përdorin persona me emra si Petar Petrovic nga Mynihu, i cili shërben si fasadë. Investimet më të mëdha të tyre janë në jug dhe juglindje të Serbisë.

Gjithashtu ai shtoi se klanet shqiptare të drogës përdorin të njëjtën strategji dhe skema për blerjen e pasurive të patundshme në disa vende turistike të Kroacisë, Malit të Zi, si dhe në Bosnje-Hercegovinë.