Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka thënë se kjo parti i ka bërë shtatë propozime LDK-së për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Sipas tij, LDK-ja ka bërë vetëm një dhe ajo ka qenë që Glauk Konjufca i VV-së të hiqet nga posti i kryeparlamentarit e LDK-ja ta udhëheqë Kuvendin deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

“Nuk e di sa serioze mund të quhet një kërkesë e tillë kur thuhet se personi që e kemi votuar të japë dorëheqje e të shkarkohet, ta marrim për një vit e pastaj ua kthejmë. Po të ishte puna që njëmend puna të ishte për një post të rëndësishëm shtetëror, do të duhej të pranohej kryekuvendari që më 23 dhjetor kur u kemi bërë propozim.

S’bëhet fjalë për kërkesë legjitime që të thuhet se po e kërkojnë një post vetëm sa për të mbetur pa post të rëndësishëm. S’mund të kthehemi prapa sepse shkelet vullneti i deputetëve. Edhe po të merreshim vesh ka shkelje të vullnetit të deputetëve të tjerë”, ka thënë ai.

Murati ka zbuluar se VV-ja i ka ofruar LDK-së 7 ministri në Qeverinë Kurti, por nuk ka treguar nëse aty është paraparë raporti 7 me 3 apo ka qenë format tjetër. Sipas tij, edhe kjo ofertë është refuzuar nga LDK-ja me kërkesën e vetme për kryeparlamentarin.

“Ne kemi ofruar shtatë propozime. Pres që shumica në LDK të reflektojë e të kemi marrëveshjen. Ne kemi lëvizur shtatë herë, kemi bërë shtatë propozime. Propozimi i vetëm i LDK-së deri më tani nga 26 dhjetori e tutje ka qenë propozimi që këqyr me e zhbë rezultatin e 26 dhjetorit, votimin e Glauk Konjufcës. VV-ja ka bërë vazhdimisht propozime që të arrihet konsensusi. S’mundet vetëm njëra palë të bëjë shtatë propozime e pikërisht asaj t’i thuhet lësho pe akoma.

S’mund të hyjë edhe VV-ja në qeveri duke hequr dorë ose duke i shkelur edhe institucionet e vullnetin që u shfaq më 26 dhjetor. Kemi qenë të gatshëm të lëshojmë pe duke mos ndërhy në votimin që ka qenë, u kemi ofruar 6 ministri e madje edhe 7.

Ideja ishte vetëm të mos ngecim. Kemi një palë në anën tjetër që të vetmen kërkesë e ka te një post që tashmë është zgjedhur. Marrëveshja duhet të lëvizë përtej asaj. Ata të lëvizin sepse votimi i Konjufcës është i pakthyeshëm”, ka thënë tutje Murati.

Murati, megjithatë, është shprehur optimist për arritjen e marrëveshjes para 4 shkurtit.

“Mendoj se do të ketë marrëveshje. Shpresoj të kemi mirëkuptim edhe prej palës tjetër që të vijnë në tavolinën e negocimit e të bëjnë një hap tutje drejt marrëveshjes. Deri tani ishte një gjysmëhapi me sherr që të zhbëhet diçka që tashmë ishte bërë. Duhet të sqarojmë se si secila palë të ndihet e kënaqur e të materializojmë vullnetin për ndryshim”, ka përfunduar ai.

Artikulli paraprakPARASHIKIMI I MOTIT/ RESHJE SHIU NË TË GJITHË VENDIN, POR ÇFARË PRITET TË SJELLË MBRËMJA
Artikulli tjetërTËRMETI, RRITEN NDJESHËM KONTRATAT E SIGURIMIT TË PRONËS