Ardhjet dhe ikjet e futbollistëve që duan të provohen te Vllaznia vazhdojnë. Ditët e fundit me skuadrën është stërvitur mesfushori kosovar Ylber Ramadani. Lojtari i ardhur nga Prishtina dhe që pak ditë më parë kishte qenë në provë edhe te Hajduku i Splitit, nuk ka arritur dot të qëndrojë as te kuqeblutë. Ai nuk ka arritur dot të bindë trajnerin Zmijani dhe, për rrjedhojë, pasditen e djeshme është kthyer sërish në vendin e tij.

E ndërsa Ramadani është larguar, një tjetër futbollist ka ardhur për provë te skuadra shkodrane. Bëhet fjalë për mbrojtësin 23 vjeçar Hamels Hoxha. Ai vjen nga Greqia, ku është aktivizuar me skuadra të ndryshme në tre sezonet e fundit, ndërsa më parë ka qenë pjesë e Skënderbeut dhe e Laçit në kampionatin shqiptar. Edhe Hoxha do të qëndrojë disa ditë në provë dhe mund të jetë një alternativë e mirë për qendrën e mbrojtjes së kuqebluve, ngaqë stafi teknik kërkon patjetër edhe një lojtar për këtë pozicion. Përveç Hoxhës, në stërvitje me Vllazninë vazhdon të jetë ende kosovari Lorik Arifaj. 18-vjeçari konsiderohet një element i perspektivës dhe ai mund të firmosë një kontratë me këtë klub dhe mund të aktivizohet me ekipin U-19 të Vllaznisë në sezonin e ri. Megjithatë, ardhjet nuk mendohet të mbyllen këtu, ngaqë në ditët në vazhdim mendohet të ketë të tjerë futbollsistë që do vijnë, me idenë për të bindur stafin teknik dhe më pas për të firmosur me këtë skuadër.

PUBLICITET